Të arrestuarit e BSH: Nuk kishim rregullore

02/08/2014 00:00

Gjykata e Tiranës shpalli masën e sigurisë arrest me burg edhe për shtatë të arrestuarit e tjerë që hetohen sikundër Ardian Bitraj dhe Mimoza Bruzia për vjedhjen e Bankës së Shqipërisë që prej vitit 2010 e në vijim.

Petrit Ramohitaj, me detyrë përgjegjës i arkës në veprim, Liljana Tusha, specialiste e arkës në veprim, Lavdim Cani, specialist i arkës stok, Myzejen Belba, specialiste e arkës stok, Dhimitër Davidi, me detyrë vëzhgues-operator dhe Bashkim Xhilaga, përgjegjës i të dyja arkave, dolën përpara gjyqtarit Arben Mullai ndërsa dëgjuan gjatë masave të sigurisë me dyer të mbyllura qëndrimin e Prokurorisë që tha se punonjësit me veprimet e mosveprimet e tyre kanë shkaktuar vjedhjen e bankës nga kolegu i tyre, Ardian Bitraj.

Burimet thanë se të dyshuarit janë mbrojtur duke u shprehur se nuk njihnin rregulloren dhe nuk dinin specifikisht se cilat ishin detyrat e tyre përkatëse, duke mohuar implikimin në këtë çështje. Ndërkohë, familjarët e tyre u shprehën jashtë kamerave të pakënaqur me arrestimet, ndërsa kanë shtuar se të afërmit e tyre janë bërë “koka turku” dhe se shteti duhet të arrestojë njerëzit përgjegjës në këtë skandal.

Avokatët nga ana e tyre kanë shmangur komentet për klientët, vetëm avokatja Vjollca Pustina është përpjekur të lehtësojë për mediat pozitën e të mbrojturit prej saj Dhimitër Davidit, që sipas Prokurorisë ishte njeriu që kqyrte kamerat, që duhet të kishte vënë në dijeni autoritetet atëherë kur Ardian Bitraj shfaqet në kamerat e sigurisë duke dalë me thasë plastikë me lekë dhe më pas i fsheh në trup.

“Ai ka neglizhuar detyrën, por nuk është i përfshirë”, tha avokatja Pustina.

Përveç nëntë të arrestuarve, Prokuroria ka nën hetim nëpunës të tjerë të Bankës së Shqipërisë për të cilët dyshohet se janë të implikuar në këtë vjedhje. Përveç veprimeve hetimore, siç është verifikimi pasuror i të arrestuarve, Prokuroria po përpiqet t’i japë përgjigje pyetjeve a kishte rregullore në sektorin tranzit dhe kush kishte për detyrë ta mbikqyrte zbatimin e saj.

Top Channel