Londra: Rusia, kërcënim për aleatët

02/08/2014 00:00

Kryeministri David Cameron ka paralajmëruar NATO-n se duhet të rishikojë marrëdhëniet e saj afatgjata me Rusinë pasi Moska e sheh aleancën euro-atlantike si “kundërshtare”.

Në një letër drejtuar udhëheqësve të tjerë të NATO-s, Cameron tha se Aleanca duhet të marrë disa masa që të jetë në gjendje të mbrojë anëtarët e saj nga një kërcënim i mundshëm ushtarak rus.

Sipas liderit britanik, NATO duhet të ketë një “prani me të fuqishme” në Europën Lindore për shkak të veprimeve ilegale që Rusia ka bërë në Ukrainë. Në propozimin e tij përfshihej një përgatitje më e mirë fizike me një orar të ri të ushtrimeve ushtarake, pajisje dhe furnizime të reja mjetesh ushtarake si edhe rritjen e forcës së reagimit të NATO-s e deri në 25.000 trupa.

Rekomandimi i bërë nga David Cameron erdhi përpara një samiti që do mbahet në Britani muajin e ardhshëm me liderët botërorë. Samiti i ardhshëm i NATO-s është i pari që do të mbahet në Britani të Madhe që nga viti 1990, kur Margaret Thatcher priti aleancen në Londër pas mbarimit të Luftës së Ftohtë.

“Në vitin 2014, bota është bërë më e paparashikueshme se kurrë dhe ne do të takohemi në një moment kyç në historinë e aleancës.”, tha Cameron.  

Më herët aleanca e kishte pezulluar bashkëpunimin me Rusinë dhe rriti prezencën në Europën Lindore pas aneksimit të Moskës në Krime.

 

Top Channel