Izraeli braktis tryezën me Hamas

02/08/2014 00:00

Izraeli me shumë gjasa nuk do të dërgojë delegacionin e tij të bisedimeve për armëpushim në Kajro, ndërkohë që po përshkallëzon ofensivën e tij ushtarake në Gaza.

Një zyrtar i lartë izraelit tha për BBC se Tel Avivi vështirë të dërgojë përfaqësuesit e tij në tryezën e organizuar nga Egjipti për t’i dhënë fund luftimeve në Rripin e Gazas.

Drejtuesit ushtarakë izraelitë thanë se tërheqja nga Gaza do të shihet si mundësi vetëm kur të jenë shkatërruar të gjithë tunelet dhe infrastruktura tjetër e përdorur nga Hamasi për të infiltruar militantët e më pas organizuar sulme në Izrael.

Organizatori i tryezës, Presidenti egjiptian, Abdul Fattah al-Sisi tha se plani i tij për pushimin e zjarrit është një mundësi e mirë për të dyja palët për t’i dhënë fund gjakderdhjes.

Në Gaza vazhdojnë luftimet mes dy palëve. Ushtarët izraelitë janë vënë në kërkim të Hadar Goldin, ushtari që besohet se ka rënë peng në duart e brigadave Qassam, krahu i armatosur i Hamasit. Vetë ky i fundit deklaroi se nuk ka asnjë të dhënë për ushtarin izraelit, ndërsa nuk përjashtoi mundësinë që ai të jetë vrarë nga një bombardim izraelit së bashku me militantët që e kanë zënë rob.

Numri i personave që kanë humbur jetën sa vjen e rritet. Qindra të vrarë raportohen vetëm në 3 ditët e fundit, ndërkohë që në total numërohen të paktën 1665 palestinezë të vdekur, pjesa më e madhe civilë dhe 65 izraelitë, dy prej të cilëve civilë.

Top Channel