“Coexistence” është ekspozita ndërkombëtare e hapur pranë ambjenteve të Piramidës në Tiranë. Koncepti i saj është bashkëjetesa artistike e 25 artistëve pjesëmarrës, të cilët vijnë nga një zonë gjeografike e përbashkët, ajo e lagur nga deti Adriatik.
Artistë nga Shqipëria, Italia, Kroacia dhe Mali i Zi kanë paraqitur punët e tyre si: fotografi, instalacione, video-instalacione, video e skulptura të përshtatura me ambjentin që ofron Piramida për të lëvizur dhe ripërshtatur më pas në vende të tjera.
“Ideja është për të ndërtuar një ekspozitë lëvizëse. Ky projekt nis nga Tirana, etapa e parë dhe me pas do të zhvendoset në Mal të Zi, Kroaci dhe në rajonin e Venetos dhe Puljes. Temat e punëve të artistëve janë të lidhura me dimensionin biografik dhe ekzistencial në raport me vështirësitë sociale dhe politike të jetuara sipas kontekstit të tyre historik”, thotë kuratori Roberto Lacarbonara.
Tematikat e punimeve prekin mes të tjerash problematika të lidhura me ambjentin, politikat europiane dhe dilemat që mund të shkaktojnë, rolin e rëndësishëm të gruas në shoqëri.
“Coexistence” do të qendrojë e hapur deri më datë 24 gusht.
Top Channel