Ebola “zbarkon” në SHBA

02/08/2014 00:00

Një mjek amerikan i infektuar me sëmundjen vdekjeprurëse të Ebolës mbërriti Xhorxhia të Shteteve të Bashkuara pasi ishte infektuar në Liberi.

Ai do të trajtohet në një njësi e specializuar në Emory University në Atlanta. Autoritetet deklaruan se gjendja e tij është e rëndë dhe ai i është pacienti i parë i infektuar me Ebola që do të shkelë në tokën amerikane me miratim e plotë të autoriteteve.

Sëmundja vdekjeprurëse u shfaq në Afrikën Perëndimore disa ditë më parë duke marrë jetën qindra personave. Ebola cilësohet si një nga 10 viruset më të rrezikshme në botë.

OBSH ka dhënë alarmin se shpërthimi i Ebolës në Afrikën Perëndimore po ndodh më shpejt nga përpjekjet për ta kontrolluar atë, ka bërë të ditur shefja e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH-ËHO), Margaret Chan.

Në një samit të liderëve rajonalë, ajo ka thënë se dështimi për ta frenuar atë do të ishte “katastrofik” në lidhje me humbjet e jetëve. Por, ajo tha se virusi, i cili ka marrë jetët e 729 personave në 4 shtete të Afrikës Perëndimore që prej Shkurtit, mund të ndalet nëse menaxhohet siç duhet.

Ebola shkakton vdekjen e thuajse 90% të të prekurve me këtë virus. Ai përhapet përmes kontaktit me gjakun e infektuar, lëngjeve trupore, apo organeve, si dhe mjediseve të ndotura.

Simptomat fillestare, që i përgjajnë atyre të një gripi, çojnë në hemorragji të jashtme në zona të caktuara, si sytë apo mishrat e dhëmbëve, si dhe gjakrrjedhje të brendshme, gjë që mund të çojë edhe në mosfunksionim të organit të prekur.

Doktoresha Chan u takua me liderët e vendeve më të prekura nga ky virus; Guinea, Liberia dhe Sierra Leone; për të nisur planin e veprimit kundër Ebolës në vlerën e 100 milionë dollarëve.

“Ky takim duhet të shënojë pikën e kthesës në përgjigjen ndaj shpërthimit të këtij virusi”, tha Chan në samitin e mbajtur në kryeqytetin e Guinesë, Conakry.

“Rastet po zbulohen në zonat rurale, të cilat janë të vështira për t’u aksesuar, por edhe në qytetet e mëdha me dendësi të madhe popullsie”, tha ajo, duke shpjeguar se përhapja e këtij virusi është më i madhja dhe më vdekjeprurësja në botë, sa i përket zonave gjeografike.

Top Channel