47 viktima pas prishjes së armëpushimit

02/08/2014 00:00

Mbrëmja e së premtes nuk rezultoi të ishte e qetë për Gazën. Zyrtarët palestinezë deklaruan se 47 njerëz humbën jetën nga sulmet izraelite, shumica e tyre në qytetin e Rafahut.

Ndërsa sulme me raketa u raportuan dhe në mëngjesin e ditës së shtunë në kryeqytetin Tel Aviv si edhe në Gaza u goditën 40 shtëpi, tre xhami dhe një universitet.

Ndërkaq, presidenti Barack Obama e përshkroi gjendjen e rëndë në rajon si shumë të dhimbshme dhe tha se do bëjë ç’të jetë e mundur për të nisur një armëpushim të ri.

Trazirat në Lindjen e Mesme nisën rreth 2 orë pas nënshkrimit të armëpushimit mes izraelitëve dhe forcave të Hamasit dhe palët ende fajësojnë njëra-tjetrën se cila ishte e para që shkeli paktin e paqes 72-orëshe. Izralitët pretendojnë se gjatë një operacioni të tyre në tunelet e nëndheshëm, forcat e Hamasit kanë rrëmbyer një nga ushtarët e tyre, idenditeti i të cilit është 23-vjeçari Hadari Goldin.

Gjithashtu, edhe kreu i SHBA-ve në fjalën e tij kërkoi lirimin pa kushte të Goldinit. Por, nga ana tjetër, krahu ushtarak i Hamasit shfajësohet dhe thotë se rrëmbimi i Goldinit ndodhi para nisjes së armëpushimit dhe akuzoi Izraelin për “shkelje” të marrëveshjes së  paqes.  

Por, lirimi i ushtarit ka shumë rëndësi për Izraelin dhe nëse ky veprim nuk ndodh sulmet do të përshkallëzohen, viktimat do të rriten, por duhet sjellë në vëmendje se numri i këtyre të fundit deri tani ka shkuar rreth 1.600, shumica civilë.

Top Channel