Ukrainë, rebelët i rezistojnë ushtrisë

01/08/2014 00:00

Luftimet mes ushtrisë ukrainase dhe separatistëve pro rusë janë zhvendosur më në lindje të vendit, pranë zonës së rrëzimit të avionit të “Malaysia Airlines” më 17 korrik.

Autoritetet ukrainase deklaruan se një karvan i ushtrisë ra pre e një kurthi të ngritur nga rebelët në afërsi të kësaj zone. Autoritetet flasin për 10 ushtarë të vrarë, por mediat vendase e çojnë këtë numër në të paktën 20. Rebelët thonë se kanë shkatërruar të paktën 30 automjete të blinduara të ushtrisë ukrainase.

Gjatë javës Kievi njoftoi përparim në ofensivën e tij kundër rebelëve duke marrë nën kontroll rrethinat e qytetit të Donetskut, kryeqendra e rezistencës së rebelëve.

Të premten në këtë rajon ushtria sekuestroi një arsenal të madh armatimi të rëndë. I gjithë arsenali i armëve, nga pamjet e publikuara nga autoritetet ukrainase ishte prodhim rus. Për Kievin kjo është një tjetër provë që përfshin dhe vërteton lidhjet dhe ndihmën e Moskës me separatistët.

Më herë Shtetet e Bashkuara dhe më pas Bashkimi Europian përforcuan sanksionet ndaj Rusisë. Kjo e fundit u kundërpërgjigj duke deklaruar se sanksionet do të ndikojnë në rritjen e energjisë dhe çmimit të gazit.

Top Channel