Korçë, bujqësia e dëmtuar nga karkaleci

30/07/2014 00:00

Rajoni jug-lindor i vendit vijon të përballet me vërshimin e karkalecit, i cili është duke dëmtuar në masë të mbjellat. Pas alarmit të dhënë nga dhjetëra fermerë të cilëve insekti u ka shkatërruar gjithë prodhimet, Drejtoria e Bujqësisë është duke punuar për dezinsektimin në zonat malore.

Nisma e ndërmarrë nga Ministria e Bujqësisë, e cila nisi me komunën e Pustecit ku vetë ministri Edmond Panariti dha garanci të plotë për efikasitetin e pesticidit, fushata ka vijuar në zonën malore të Voskopojës.

“Ne po e luftojmë, por nuk gjejmë ilaç. U bënë dy javë që përpiqemi. Karkaleci ka dëmtuar patatet, fasulet, të gjitha”, ankohet një banore.

“Karkaleci këtu ka tre vjet, fshatarët janë munduar me pompa krahu dhe mjete paraprake për ta luftuar, por kjo nuk ka mjaftuar”, thotë një tjetër.

Sipas të dhënave nga Drejtoria e Bujqësisë, në rajonin jug-lindor sipërfaqja e infektuar me karkalec është rreth 3.000 hektarë, prej të cilëve në 1.200 ka nisur puna për eleminimin e insektit.

“Në qarkun e Korçës kemi një sipërfaqe prej 3 mijë hektarë të prekur, prej të cilave janë trajtuar rreth 1.200 hektarë. Ne kemi synuar eleminimin e vatrave të dëmtuara dhe kemi bërë trajtime të ndryshme në zonat fushore. Hap pas hapi do të ndërhyjmë edhe në zonat malore”, thotë Arben Hysolli, specialist i DBU.

Insekti, i cili ka pushtuar jo vetëm tokat dhe kulturat bujqësore të kësaj zone por edhe banesat, u ka shkaktuar qindra familjeve fermere dëme të mëdha, ndërsa hap pas hapi pritet që të parandalohet përhapja e tij dhe më tej edhe shfarosja e plotë.

Top Channel