“12 zona industriale, asnjëra nuk funksionon”

25/07/2014 00:00

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Arben Ahmetaj tha se qeveria synon zhvillimin e 12 zonave industriale në vend, duke nisur nga projekti i parë pilot në këtë sektor, çka sipas tij do të ndihmojë në krijimin e industrisë prodhuese për eksport.

“Ka 12 zona industriale dhe zero funksionon, jemi fokusuar tek arsyet përse nuk kanë funksionuar, do t’i adresojmë ato dhe do të nisim nga projekti i parë pilot”, deklaroi Ahmetaj.

Në konferencën ‘Drejt një rruge të re të progresit të Shqipërisë’, zëvendës kryeministri Niko Peleshi tha se një tjetër sfidë e qeverisë është rritja e investimeve të huaja direkte në sektorët strategjikë.

“Investimet e huaja direkte në sektorët strategjikë kanë qenë 1 deri në 2%. Pjesa më e madhe e tyre ka shkuar për privatizime, liçenca telekomunikacioni dhe shërbime financiare. Duam ta ndryshojmë këtë duke i ndihmuar të shkojnë drejt sektorëve strategjikë”, tha Peleshi.

Disa nga sektorët që mund të çojnë në rritjen e ekonomisë, sipas profesorit të Qendrës për Zhvillimet Ndërkombëtare në Harvard Kennedy School, Ricardo Hausmann, janë bujqësia, turizmi apo sektori energjetik. Për profesor Hausmann, ajo çfarë i mungon strukturës institucionale në vend është Banka e Zhvillimit.

“Do të propozojmë idenë e krijimit të një banke zhvillimi në Shqipëri. Do të ishte një institucion fantastik për të bashkëpunuar me Bankën Botërore, BERZH-in, IFC-në, për të ndihmuar në strukturimin e projekteve, lidhjen e tyre me burimet financiare dhe për të vlerësuar riskun”, nënvizoi Hausmann.

Top Channel