KE: Kosova, ende punë për vizat

24/07/2014 00:00

Komisioni Evropian ka prezantuar raportin e tij të dytë për progresin e Kosovës në përmbushjen e kërkesave të udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave.

Në raport thuhet se Kosova ka arritur progres, por kërkohen përpjekje të mëtejshme për të fituar lëvizjen pa kufizime për qytetarët e saj.

“Autoritetet e Kosovës kanë punuar shumë dhe kanë arritur progres në disa fusha, por ato duhet të vazhdojnë të punojnë për të plotësuar mangësitë e identifikuara në këtë raport, në veçanti kur bëhet fjalë për sistemin informativ për vizat, pavarësinë e gjyqësorit dhe luftën kundër korrupsionit. Komisioni Evropian është i gatshëm t’i ndihmojë ata në përpjekjet për të pasur progres konkret”, deklaroi komisionerja për Çështjet e Brendshme, Cecilia Malmstrom.

Raporti vlerëson se Kosova ka ndërmarrë hapa të rëndësishëm për të implementuar legjislacionin e saj në të gjitha fushat, por në të njëjtën kohë dokumenti zyrtar rekomandon:

rritjen e riintegrimit të qëndrueshëm të personave kthyer; përmirësimin e saktësisë së sistemit për statusin civil; avancimin e sistemit informativ për vizat; zhvillimin e pavarësisë së gjyqësorit dhe krijimin e një regjistri të besueshëm për vendimet e gjykatave, të marra për rastet e krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Top Channel