Shoqata e Komunave kundër reformës

23/07/2014 00:00

Shoqata e Komunave kundërshtoi variantin përfundimtar të reformës territoriale, duke e cilësuar një reformë gjysmake dhe të dëmshme për vendin.

Në një qëndrim të saj përfundimtar, pasi rendit 12 arsye përse rruga që ndoqi qeveria nuk ishte ajo e duhura dhe nga e cila u devijua qëllimisht prej disa kritereve të mira, Shoqata e Komunave kërkon shtimin edhe të së paku 20 njësive vendore.

Sipas studimit të saj, të prezantuar një muaj më parë, në kushtet e Shqipërisë, ndarja më e mirë territoriale do të ishte nga 80-100 njësi vendore, ose 7-8 njësi për qark.

Shoqata e Komunave thotë se kapërcimi i qeverisë nga njëri ekstrem me 39 në 61 bashki do të thotë se qeveria nuk ka respektuar kriteret dhe ka shkelur parimet mbi të cilat kryhet një reformë e mirëfilltë territoriale.

Hartën e re me 61 njësi vendore, Shoqata e Komunave e cilëson si një gjysmëhap drejt ndarjes së arsyeshme territoriale, por ajo paralajmëron, se nëse mbetet kështu, si çdo reformë gjysmake, do të ishte edhe më e dëmshme.

Për këtë arsye, në 4 pikat që shoqata i sugjeron qeverisë është rritja e numrit të bashkive deri në 100, shmangia e konfigurimeve politike, gjetja e rrugës për të bashkëpunuar në çdo moment, si dhe hartimi me urgjencë i legjislacionit për decentralizimin e pushtetit lokal në funksion të njësive të reja vendore.

Top Channel