Gjatë këtyre 20 viteve të fundit më tepër se 30 % e sipërfaqeve pyjore janë dëmtuar rëndë si pasojë e prerjes pa kriter, por edhe djegjeve të pakontrollueshme.
Ministri i Mjedisit, Lefter Koka tha se ndalimi i eksportit dhe mbjellja e 10 milion fidaneve pritet të sjellë një përmirësim të situatës mjedisore.
“Nëse eksportoheshin 100 mijë metër/kub dru në vit, sot janë mbjellë 540 mijë pemë, duke kursyer pra atë eksport që tashmë nuk bëhet më dhe duke e kthyer në kahun e kundërt duke mbjellë. Balancat janë të atilla që nga vitet ’90 janë dëmtuar mbi 30 përqind e sipërfaqjes pyjore e cila i ka dhënë një dëm shumë të madh ekologjisë dhe erozionit”, deklaroi ministri Lefter Koka.
Ministri i Mjedisit tha se deri në pranverën e vitit të ardhshëm të gjitha akset nacionale do të jenë të pyllëzuara.
“Me urdhër të Kryeministrit të gjitha akset nacionale do të jenë të rehabilituara, të pyllëzuara dhe do të kenë një jetër panoramë. Nëse nuk do të kemi një bujqësi të zhvilluar, nuk do të përmirësojmë dot ekonominë e vendit dhe të zbusim papunësinë”, shtoi Koka.
Turizmi, por edhe bujqësia janë mjaft të lidhura me mjedisin, ndaj ndërhyrja në disiplinimin e ujërave nëntokësore, si dhe në menaxhimin e integruar të mbetjeve janë disa nga sfidat më të cilat kjo Ministri do të përballet gjatë ditëve në vijim.
Top Channel