
Se cilat itinerare duhet të ndiqen për të arritur një destinacion është, në radhë të parë, një çështje ekonomike. Por, pilotët mund ta përcaktojnë vetë rrugën në rast rreziku.
“Air France”, “British Airways”, “Singapore Airlines” dhe të tjera linja ajrore, prej kohësh nuk fluturonin më mbi zonën e luftës në Lindje të Ukrainës. Ndërsa kompani si “Lufthansa”, thotë “Deutsche Welle”, i kanë ndryshuar vetëm tani itineraret e tyre për destinacionet në Azi, pas rrëzimit të “Boeing 777” të shoqërisë “Malaysia Airlines”, i qëlluar sipas gjasave me një raketë.
Pyetja që shtrohet më së shumti, pas incidentit që mori gati 300 jetë njerëzish, është: a duhet të fluturohet mbi një zonë konflikti, vetëm sepse është e lejuar?
Për shoqërite ajrore kjo mbetet një çështje e peshimit mes sigurisë dhe aspektit ekonomik. Vetëm për të kursyer parà, një pjesë e tyre pranojnë rreziqe, të cilat edhe mund të shmangeshin. Kompanitë në fjalë kanë vazhdimisht në fokus kostot dhe duan t’i lëvizin avionët në rrugën më të shkurtër që ekziston.
Megjithatë, ekspertët thonë se ekuipazhi ka të drejtë fjale dhe se, në zgjedhjen e itinerarit, piloti gjithmonë e rezervon mundësinë të thotë: nuk e pranoj një itinerar mbi një zonë të tillë lufte.
Në rast moti të keq, apo ndonjë kërcënimi tjetër ekstrem, vendimi për devijimin nga kursi i paracaktuar nuk paraqet asnjë problem. Por, nëse vendos të refuzojë fluturimin mbi një zonë, të cilën piloti e sheh si të rrezikshme, ai duhet t’i japë drejtuesve argumente të forta për lëvizjen e vet.
Nëse një hapësirë ajrore është e sigurt apo jo, për këtë vendos parimisht shteti të cilit ajo i përket. Në rastin konkret, ishte Ukraina që duhej të bllokonte hapësirën për avionët civilë, nëse do të konstatohej rrezik.
Për shkak të luftimeve në tokë ka pasur udhëzime të mos fluturohej në aeroportet në Lindje të vendit, por deri tani kërcënimi për fluturimet në 10,000 metra lartësi nuk ishte i dallueshëm, aq më tepër që në konflikte të kësaj natyre, avionët civilë nuk vihen asnjëherë në shënjestër.
Top Channel