Treg bujqësor modern në Elbasan

19/07/2014 00:00

Shqipëria ka tashmë tregun e parë bujqësor, që është i krahasueshëm me tregje të vendeve të BE-së dhe sipas standardeve të tij.

Brenda gjashtë muajsh, me mbështetjen e qeverisë shqiptare është ngritur ky treg për fermerët e qarkut të Elbasanit, ku janë përfshirë dyqanet, vendet e dedikuara për furgonët e produkteve të fshatit, sallat e ekspozitave të produkteve, megafrigoriferët për ruajtjen e produkteve për çdo stinë, kafe dhe restorante.

Rreth 300 vende të reja pune janë gjithashtu pjesë e investimit, që kryeministri Rama vizitoi para inaugurimit për t’u siguruar se gjithçka është në vendin e duhur.

“Ne jemi shumë mirënjohës sepse me këtë treg nuk është zgjidhur një problem vetëm i kësaj zone, por na nderon dhe na jep mundësinë që ta promovojmë si shembull suksesi edhe për zona të tjera, që njerëzit të fillojnë të shohin një perspektivë tjetër me këto tregje bujqësore. Të sjellim këtu edhe njerëz nga zona të tjera që të marrin shembull, nga veriu në jug, që këtë eksperiencë ta çojnë në zona të tjera”, deklaroi Rama.

Ministri i Bujqësisë, Edmond Panariti deklaroi se në tregje të tilla duhet të bëhen të dukshme edhe çmimet, me qëllim shmangien e abuzimit me to.

“Të bëjmë edhe një mini ankand çdo ditë, një tip mini burse bujqësore. Ju keni porositur një ekran shumë të madh i cili do të vendoset në ballë dhe çmimet ditore do të jenë vizibël për të gjithë, që të mos këtë shteg për spekulime. Kjo është një gjë shumë pozitive, sepse duhet të fusim mekanizmin e transparencës së çmimeve”, tha Panariti.

Kontrolli nëpër këto tregje gjithashtu është më i lehtë për strukturat shtetërore. Formalizimi i ekonomisë, por edhe tregtimi sipas standardeve të kërkuara ngaAKU janë më të mundshme në këto tregje, sipas drejtoreshës së AZHBR-së.

Ndërsa për përfituesit e mbështetjes financiare, qeveria thotë se ky projekt kishte dhjetë vjet që ishte përgatitur, por zvarritjet burokratike kanë qenë të pakapërcyeshme.

Top Channel