Dhunohen dy gra në Qafë Thanë

19/07/2014 00:00

Dy shtetase shqiptare akuzojnë policinë maqedonase për keqtrajtim pa arsye në pikën kufitare të Qafë Thanës, mes Shqipërisë dhe Maqedonisë.

Bëhet fjalë për shtetaset Luljeta dhe Violeta Telalli, nënë e bijë, për të cilat policia maqedonase tre ditë më parë njoftoi se ka ngritur kallëzime penale nën dyshimin se kanë kryer sulm ndaj personit zyrtar gjatë ushtrimit të detyrës.

Por, gjatë rrëfimit të tyre për portalin “Drini” nga Struga, dy shtetaset shqiptare thonë se problemet me policinë kanë nisur pas urëdhrit nga autoritetet kufitare për të mos lejuar hyrjen e tyre hyrë në Maqedoni, urdhër ky, që për to ishte i paarsyeshëm.

“Ia kam tërhequr nga dora pasaportën time duke i thënë ‘ma jep pasaportën sepse ne do të kthehemi të dyja’. Në këtë moment ka rënë kompjuteri dhe kaq iu duhej që këta të na merrnin dhe të na çonin brenda. Vajza u tremb sepse ishim dy gra në mes të natës. Ajo u mundua të telefononte babain e vet, por një police ia rrëmbeu telefonin nga dora dhe kur vajza i tha mos ma prek telefonin, ajo ushtroi dhunë, e kapi për fyti dhe e vrau gjithandej. Pastaj dy policë të tjerë e tërhoqën vajzën zvarrë nëpër koridorr dhe e çuan në një dhomë të errët”, thotë Luljeta Telalli.

Dy shtetaset shqiptare, që ishin nisur drejt Ambasadës Holandeze në Shkup dhe u ndaluan në pikën kufitare Qafë Thanë, aktualisht janë duke qëndruar në një shtëpi private në Strugë, sepse siç thonë, pasaportat ia ka marrë policia maqedonase dhe nuk mund të kthehen në Shqipëri.

Zonjat Luljeta dhe Violeta Telalli për këtë rast kërkojnë ndihmë nga Amabasada e Shqipërisë në Shkup dhe thonë se për dhunën ndaj tyre posedojnë dëshmi nga mjeku.

“Na i kanë marrë pasaportat dhe na kanë thënë të qëndrojmë këtu në gjendje të lirë dhe të paraqitemi çdo ditë në polici. Ne shkuam në polici, por atje nuk na pranuan duke na thënë se jemi vonuar 2 minuta. Pra, akoma tallen me ne. Si mundet që një gjykatë dy femra të dhunuara t’i flakë në rrugë pa strehim, pa ushqim, pa veshje? Sepse ka një javë që s’jemi larë, jemi pa mjekim dhe pa rehabilim”, thotë më tej Luljeta Telalli.

Ndërsa në versionin e policisë thuhet se dy shtetaset shqiptare, të martën rreth orës 02.30, gjatë hyrjes në Maqedoni, në vendkalimin kufitar Qafë Thanë u konfrontuan me punonjësit e policisë pasi u informuan se nuk i plotësonin kushtet për të udhëtuar drejtë Maqedonisë, për shkak se nuk posedonin para të mjaftueshme dhe nuk dhanë informacione të sakta për qëllimin e hyrjes në vend.

Në njoftimin zyrtarë policisë më tej thuhet se, “shtetasja me inicialet L.T. është përpjekur të marrë nga sporteli pasaportën, duke rrëzuar pajisjet kompjuterike për verifikimin e dokumenteve dhe më pas bashkë me shtetasen V.T. kanë filluar të fyejnë dhe i kanë sulmuar fizikisht punonjësit e policisë”.

Top Channel