Kanabisi, aksione në jug e veri

17/07/2014 00:00

Ka shkuar në 40, numri i të arrestuarve në fshatin Lazarat nga ana e policisë. Në zonë ndodhen ende forca të policisë që po kontrollojnë për lëndë narkotike, armë dhe për kapjen e personave që kundërshtuan me armë policinë.

I arrestuari i fundit është shtetasi Avdul Bocia, i datëlindjes 1961, nga Lazarati. Ky ishte person i shpallur në kërkim për “Vrasje të punonjësve të policisë, mbetur në tentativë, e kryer në bashkëpunim” dhe për “Prodhim dhe mbajtje pa leje të armëve dhe municioneve luftarake”.

Gjatë kontrollit në banesë, këtij shtetasi iu gjetën dhe iu sekuestruan një armë zjarri kallashnikov, katër krehëra me fishekë kallashnikovi, 70 fishekë, si dhe gëzhoja të dala nga kjo armë, që dyshohet se ka qëlluar në drejtim të punonjësve të policisë, gjatë ditëve të operacionit për të hyrë në qendër të fshatit Lazarat.

Kanabisi, aksione në Shkodër e Vlorë

Policia e Shkodrës ka ndaluar dy persona, banorë të fshatit Mlenë e Vogël, me akuzën e kultivimit të hashashit. Ata janë shtetasit Zef Krepi dhe Zef  Vathaj, të moshave 61 dhe 67 vjeç, ndërkohë që një person tjetër, Frrok Vathaj, është shpallur në kërkim.

Arrestimi i 61-vjeçarit Krepi u bë pasi gjatë kontrollit për identifikimin dhe asgjesimin e bimëve narkotike, në vendin e quajtur Mnelë e Vogël, u gjetën dhe sekuestruan 97 rrënjë bimë kanabis sativa, të cilat i kishte kultivuar në një parcelë të marrë me qera nga shtetasi Frrok Vathaj.

Ndërsa arrestimi i të afërmit të këtij të fundit, Zef Vathaj, u bë pasi duke qenë kryeplak i Fshatit nuk ka dhënë informacion për kultivimin e lëndës narkotike.

Ndërkohë, policia e Shkodrës asgjesoi 4.375 rrënjë kanabis sativa të kultivuara në disa vende të ndryshme të bashkisë Vau i Dejës, në komunën Shllak, në komunën Vig Mnele, në komunën Guri i Zi dhe në Fierzë.

Edhe policia e Vlorës ka vijuar aksionet kundër kultivimit të kanabisit. Sipas një njoftimi për shtyp, nga ana e drejtorisë së policisë është organizuar operacioni “Antikanabis”, gjatë të cilit është bërë e mundur zbulimi dhe asgjesimi i 325 rrënjëve bimë narkotike.

Sipas njoftimit, lënda narkotike e cila ishte kultivuar në 8 parcela është zbuluar në fshatin Laparadha të komunës Kotë dhe pikërisht në vendet e quajtura Sherbova dhe Korije, në zonë të pyllëzuar. 

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta