Ministria e Shëndetësisë po analizon përshkrimin e recetave nga mjekët si përsa i përket orientimit drejt ilaçeve të shtrenjta, por dhe orientimit të pacientit drejt një farmacie të caktuar.
Janë duke kaluar në sitë të gjitha recetat e lëshuara për periudhën prill-qershor dhe në fund të kësaj analize, ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqja tha se do të bëjë publikë emrat e mjekëve për të marrë secili përgjegjësitë e tij.
“Do të na duhet të ndreqim, me rishikim të protokollit të mjekimit, rregullat për nënshkrimin e recetës për t’i bërë në harmoni me vendet e tjera. Do na duhet të bëjmë edhe monitorimin e mënyrës se si funksionon zinxhiri i mjekimit që nga mjeku i familjes deri në farmaci. Synimi i parë është që shërbimin ta përmirësojmë. Duam të blejmë më shumë barna, të rimbursojmë më shumë dhe që shqiptarët t’i blejnë ato më lirë. Kur do të konstatohet që ka abuzime, ne do të kërkojmë edhe nxjerrjen e përgjegjësive, pse jo edhe penale”, deklaroi Beqja.
Lidhur me raportin e Bankës Botërore, ku theksohet se shqiptarët i blejnë ilaçet shumë më shtrenjtë se qytetarët e tjerë të vendeve të rajonit dhe Bashkimit Europian, ministri Beqja tha se do të merren në konsideratë të gjitha rekomandimet e Bankës Botërore që për mënyrën e negocimit të çmimit deri dhe rishikimin me detaje të listës së rimbursimit, ndryshime këto që do të pasqyrohen në ligjin e ri të barnave që pritet të miratohet brenda muajit korrik.
“Ne kemi në Kuvend ligjin e barnave për miratim, që besoj se do mbyllet brenda korrikut. I rëndësishëm është: vendimi për mënyrën e negocimit të shtëpive të barnave me kompanitë farmaceutike; vendimi për ndryshimin e mënyrës së hartimit të listës së barnave të rimbursueshme; si dhe do vëmë rregulla që barnat gjenerikë të jenë më të ulëta se barnat patentë, sepse jemi i vetmi vend që e ka më të lartë”, tha Beqja.
Ministri i Shëndetësisë deklaroi se efekti i uljes së çmimit të barnave ka nisur që me heqjen e TVSH-së, por edhe ndryshimet që po bëhen në ligjin e ri si nxitja e konkurrencës ndërmjet kompanive për çmimin e barit e të tjera si këto do të bëhen që të kemi ilaçe më të lira në tregun e hapur, në listën e rimbursimit por dhe për ato për përdorim spitalor.
Top Channel