Një 16-vjeçar nga Kolonja e Lushnjes është mbytur në plazhin e Divjakës, pasditen e djeshme, dhe ngjarjen e kanë parë qindra pushues, që ndodheshin atje për të pushuar.
Viktima, së bashku me tre shokë të tij, ishin futur në det, por si pasojë e dallgëve të mëdha ata nuk kanë mundur të dalin.
Megjithëse jo shumë larg nga bregu i detit, ata kanë kërkuar ndihmën e pushuesve të tjerë. Të paktë kanë qenë personat që iu përgjigjën thirrjes, për shkak të detit të egërsuar, por disa prej tyre nxituan të ndihmojnë adoleshentët.
Tre prej të rinjve u shpëtuan dhe u nxorën në gjendje të keqe nga ujrat e detit, ndërsa i katërti nuk mundi të mbijetojë.
Gjithçka zgjati për disa minuta, ndërsa të pranishmit pohojnë se dëgjonin thirrjet për ndihmë dhe nuk mundeshin t’ia jepnin. Viktima është Naun Hila, vetëm 16 vjeç.
Pushuesit, dëshmitarë të ngjarjes, thonë se në momentin e ngjarjes është kërkuar ndihmë dhe nga policia, ndërsa në plazh nuk ka pasur roje bregdetare. Në kërkim të trupit të viktimës është vënë edhe një skaf privat, që ndodhej në zonë.
Top Channel