
Rreth 70 persona me aftësi të kufizuara kanë qëndruar mbi 4 orë para kryesisë së Kuvendit për të takuar kreun e Paralamentit, Ilir Meta, pasi kundërshtojnë projektligjin e paraqitur nga Ministria e Mirëqënies Sociale për përfshirjen dhe aksesin e personave me aftësi të kufizuara.
Kreu i Këshilit të personave me aftësi të kufizuara, Sina Tafaj u shpreh se ky projektligj përjashton personat e kësaj kategorie dhe ka premisa të forta për të lejuar abuzimin dhe korrupsionin me fondet publike dhe ato të donatorëve që jepen për ta.
“Por çështja është shumë e thjeshtë, ky ligj nuk jep garanci por hap rrugën për të dëmtuar të drejtën që kemi fituar, hap rrugën për cënimin e standardeve të tjera të arritura në fushën e së drejtës së përfaqësimit dhe të së drejtës për të vepruar. Gjithashtu, ky ligj neve na bën të gjithë handikapë mendorë duke na ofruar vendimmarrjen e mbështetur. Ky është një ligj klientelist”, deklaroi Tafaj.
Pasi kanë qëndruar 4 orë, manifestuesit nuk kanë mundur të takojnë zotin Meta, ndërkohë që janë pritur nga sekretarja e përgjithshme e Kuvendit, Albana Shtylla.
Ata insistojnë që të zhvillojnë këtë takim, në mënyrë që të pengohet ky projektligj. Javën që vjen projektligji pritet të diskutohet në komisionin paralamentar të çështjeve sociale e më pas të miratohet në Paralament.
Ndërkohë, personat me aftësi të kufizuara paralajmërojnë protesta pasi nuk do të lejohen që në emër të tyre organizata jofitimprurese që anëtarësojnë 3-4 persona të kësaj kategroie, të përfitojnë fonde në emër të paaftësisë së tyre.
Top Channel