‘Gjoni’, policia çon dosjen në Prokurori

16/07/2014 00:00

Nga Drejtoria për Krimin Ekonomik e Financiar në Policinë e Shtetit më datë 8 korrik 2014 ka referuar në Prokurorinë e Përgjithshme materialet në ngarkim të Gjyqtarit të Apelit, Tiranë dhe anëtarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Gjin Gjoni për veprën penale “pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.

Në njoftimin e shpërndarë nga Ministria e Brendshme thuhet se si indicie për këtë referim ka shërbyer kallëzimi penal i Inspektoriatit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrolli të Pasurisë ndaj këtij shtetasi për veprat penale të “deklarimit të rremë të pasurisë dhe falsifikimit të dokumenteve”.

Nga Drejtoria për Krimin Ekonomik e Financiar në Policinë e Shtetit, referuar shumave të larta të investuara në pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme që disponon gjyqtari Gjoni, ku të krahasuara me të ardhurat nga paga apo bizneset e tij dhe të bashkëshortes së tij, dyshohet se ka një pasuri të pajustifikuar e të dyshimtë, e cila ka burimin financiar nga aktivitete të paligjshme.

Në këtë referim, thotë MB, janë patur parasysh: Pasuritë që disponon shtetasi Gjin Gjoni dhe bashkëshortja e tij, të ardhurat që vijnë nga paga e punësimit në vite të këtij shtetasi, të ardhurat që ka patur bashkëshortja e tij, dokumentacioni lidhur me shoqëritë që disponon ky shtetas dhe bashkëshortja e tij si dhe është marrë informacion nga strukturat tatimore lidhur me detyrimet.

Vepra penale që dyshohet se ka konsumuar Gjin Gjoni parashikohet nga neni 287 i Kodit Penal.

Gjoni Gjoni: Sulmi ndaj meje, politik

Dy ditë më parë gjatë raportimit për 300 ditët e para të qeverisjes, Kryeministri Edi Rama ngriti shqetësimin për gjendjen në sistemin gjyqësor, shqetësim që sipas tij, referuar rastit të gjyqtarit Gjin Gjoni nuk e ka vetëm mazhoranca qeverisëse, por edhe partnerët ndërkombëtarë.

“Jam ndjerë dhe ndjehem i tmerruar kur kam përballë zyrtarët më të lartë të vendeve të tjera që e përmendin si emër. Ç’arsye ka një zyrtar i lartë të dijë emrin e Gjin Gjonit në anglisht?! E ç’arsye ka një aleancë e tërë, që shtrihet nga Europa në NATO dhe nga NATO në Europë që të dijë që është një Gjin Gjoni dhe që ta shtrojë këtë problem me të gjithë autoritetet që takon. Unë nuk kam asnjë gjë me këtë person dhe nuk është personale, është fenomenale”, tha Rama.

Vetë gjyqtari Gjoni ka reaguar këtë të enjte ndaj deklaratave të Kryeministrit. Ai tha se ndërkombëtarët janë të shqetësuar se reforma në drejtësi po kryhet pa konsultën e institucioneve ndërkombëtare dhe për ndërhyrjet e Kryeministrit në vendimet e gjykatave.

“Dua të theksoj se Kryeministri ka humbur sensin e realitetit ose është keqinformuar me dashje, pasi Kryeministri ishte në një analizë të qeverisë dhe jo të partisë politike që përfaqëson apo të shtetit dhe këtë besoj e kupton çdo njeri. Nuk e kuptoj pse Kryeministri ndjehet i terrorizuar nga emri Gjin Gjoni. Ndërkombëtarët shqetësohen çdo ditë se si Kryeministri i një vendi merr dhe shantazhon në telefon, apo dërgon emisarë tek gjyqtarët për çështje konkrete për të cilat jam i mirëinformuar si anëtar i KLD-së. Ndërkombëtarët shqetësohen dhe duhet të shqetësohen se reforma në drejtësi po bëhet pa konsultën e Komisionit të Venecias, Këshillit të Europës, Bashkimit Europian dhe organizmave të tjera ndërkombëtare”, u shpreh anëtari i KLD-së.

Gjyqtari Gjoni shtoi më tej se akuzat e ngritura kundër tij janë një sulm personal i organizuar dhe drejtuar nga vetë Kryeministri Rama dhe për këtë shtoi se ndaj tij dhe bizneseve të familjes së tij po ushtrohen kontrolle, dhunë dhe presione nga strukturat tatimore me urdhër të Kryeministrit.

“Kryeministri deklaron se nuk ka gjë personale me Gjin Gjonin, por në realitet qendron e kundërta. Pse Rama veç KLD dhe Presidentit goditjen e ka edhe me personin tim? Meqë zoti Rama nuk ka gjë personale, si shpjegohet që Inspektoriati i Lartë i Pasurive, nga burime të brendshme dhe të sigurta të këtij institucioni deklarojnë që goditja është me urdhër të Kryeministrit?! Meqë zoti Rama pretendon se nuk ka asgjë personale, si shpjegohet që Ministri i Drejtësisë më deklaron mua personalisht se ti e di që kjo punë nuk vjen nga unë, por vjen nga lart?! Si shpjegohet që çdo dy muaj bizneset e familjes time vijnë dhe kontrollohen dhe ushtrohet dhunë, presion, gjoba nga tatimet duke deklaruar se jemi me urdhër nga lart, e në disa raste duke përmendur edhe emrin e Kryeministrit?!”, deklaroi gjyqtari Gjoni.

Top Channel