Ministri i Brendshëm gjerman, Thomas de Maiziere deklaroi në Tiranë se nuk ka asnjë rrezik që Shqipërisë t’i kthehen vizat, pavarësisht numrit të lartë të azilkërkuesve.
Ai tha se nga Shqipëria vetëm 2 për qind e kërkesave pranohen, ndërsa u dërgoi shqiptarëve mesazhin se, kërkesat për azil nuk janë rruga e duhur.
“Nuk ka ndonjë arsye objektive për azil në Gjermani, madje do të thosha se nuk ka arsye për ta kërkuar atë. Në të gjitha kërkesat për azil që shqyrtohen, numri i atyre që mund të pranohen nuk arrin mbi 2%. Me këtë rast dëshiroj t’u bëj një apel qytetarëve shqiptarë që të mos e ndjekin këtë rrugë, sepse kjo është një rrugë e vështirë, ilegale dhe nuk ka asnjë shans për të qendruar nëpërmjet saj në Gjermani. Rreziku për kthimin e vizave për Shqipërinë nuk ekziston”, deklaroi De Maiziere.
Ndërsa ministri francez i Brendshëm, Bernard Cazeneuve deklaroi se, qeveria shqiptare po bën hapa seriozë në luftën kundër trafikut të drogës, ndaj Franca do të bashkëpunojë ngushtë me të në këtë luftë.
“Përsa i përket bashkëpunimit europian dhe ndërkombëtar, ne kemi vendosur të bashkëpunojmë pikërisht në luftën kundër trafikut të drogës. Ne i dimë shumë mirë përpjekjet që ka bërë qeveria shqiptare në luftën kundër narkotrafikut dhe shembulli i fundit është operacioni i bërë në Lazarat. Pra, e njohim mirë vendosmërinë e qeverisë shqiptare për të luftuar këtë fenomen dhe kemi vendosur të bashkëpunojmë dhe të mbledhim të gjitha forcat tona në luftë kundër tij”, theksoi Cazeneuve.
Nga ana e tij, ministri i Brendshëm shiptar, Saimir Tahiri tha se i informoi homologët se marrja e statusit të vendit kandidat nuk është një eufori, por shtysë drejt luftës së krimit dhe korrupsionit.
“I sigurova se statusi i vendit kandidat për vendin tonë nuk është motiv për eufori, por është motiv për më shumë përgjegjësi dhe nxitje për rezultate solide në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Ndërkohë, Shqipëria në raportin e fundit të DASH ka dalë nga lista e zezë e vendeve me probleme serioze në trafikimin e qënieve njerëzore. Por edhe ky është një motiv i shtuar dhe nxitje më shumë për të punuar bashkë me kolegët, për të patur rezultate dhe hetime efikase në luftën kundër trafikimit të qenieve njerëzore dhe migrimit të paligjshëm”, deklaroi Tahiri.
Dy ministrat De Maiziere dhe Cazeneuve ishin të ftuar në Tiranë nga ministri i Brendshëm shqiptar, Tahiri.
Dy ministrat priten edhe nga Kryeministri Rama
Ministrat e Brendshëm të Francës dhe të Gjermanisë u priten edhe nga Kryeministri Rama.
Në takim u theksua rëndësia e forcimit të partneritetit midis vendeve tona në luftën kundër krimit të organizuar, trafiqeve ilegale dhe korrupsionit.
Rama i njohu ministrat me projektin për reformimin e njësive ligjzbatuese dhe fuqizimit të procedurës së hetimit, përmes ngritjes së Byrosë Kombëtare të Hetimit, projekt i cili u vlerësua nga të dy ministrat.
Duke njohur përpjekjet e Shqipërisë në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, ata nënvizuan se bashkëpunimi dhe një komunikim më i fortë mes vendeve është e rëndësishme në suksesin e kësaj lufte.
Ata siguruan për mbështetjen e vendeve të tyre në përballja e këtyre sfidave që kërkojnë bashkimin e përpjekjeve, të ekspertizave dhe mundësive.
Top Channel