Një operacion i gjërë i ndërmarrë nga policia në rrethin e Durrësit, Lezhës dhe Tiranës çoi në shkatërrimin e një rrjeti kriminal të prodhimit dhe tregtimit të bombave me telekomandim.
7 mina të telekomanduara me celular dhe eksploziv C4 janë kapur nga Policia e Durresit në operacionin e koduar “Profesionisti”, ndërkohë që janë arrestuar edhe tre persona, që të tre ushtarë profesionistë në repartin 1010 në Vaun e Dejës në Shkodër.
Hetimet mbi këtë grup kriminal kanë filluar para tre muajve pasi Policia e Durrësit u sinjalizua mbi një linjë të trafikimit të minave me celular nga Mali i Zi në drejtim të Shqipërisë dhe Greqisë.
Gjatë këtij operacioni u bë i mundur identifikimi dhe arrestimi i tre organizatorëve të këtij trafiku të cilët janë ushtarët profesionistë me pagesë të repartit të Vaut të Dejës, Kleo Gjinkola 22 vjeç nga Shengjini, Alban Dodaj 22 vjeç nga fshati Laim i Ri i Lezhës dhe Fran Kola 25 vjeç nga fshati Balldre i Lezhës.
Gjatë hetimeve të zhvilluara mbi këtë grup kriminal u arrit të zbulohej i gjithë mekanizimi i kryerjes së këtij aktiviteti kriminal, ku secili prej këtyre tre shtetasve kishte rol kyç në këtë trafik, që nga sigurimi i lëndës plasëse C4 në Mal të Zi, e deri tek montimi i tyre me aparatet telefonike celularë dhe më tej tregtimin e tyre si brenda vendit, por edhe drejt shtetit Grek.
Nga hetimet rezultoi se këta shtetas kishin arritur të tregtonin mina me telekomandë me një çmim që varionte nga 1800 deri në 2500 Euro.
Në rrugë jozyrtare mësohet se po hetohet për të zbuluar nëse ka një lidhje me të arrestuarve dhe shpërthimeve të fundit më eksploziv, njëri prej të cilëve mbrëmjen e së hënës në Tiranë në zonën e njohur si ‘Rruga Ura’ në kryeqytetet, mbrëmjen e së hënës.
Ngjarja në fjalë është regjistruar rreth orës 19:40, ku automjeti “Volksëagen Polo” me targë AA 868 EE, ka shpërthyer dhe kanë mbetur të plagosur tre persona.
Edhe pse fillimisht u fol se shpërthimi erdhi për shkak të sistemit të gazit që ishte instaluar në automjet, burime nga policia bëjnë të ditur se bëhet fjalë për lëndë plasëse, por ende nuk është përcaktuar lloji dhe sasia e saj.
Si pasojë e shpërthimit të fuqishëm, është dëmtuar tërësisht pjesa e përparme e automjetit ndërsa dëmtime të shumta ka marr drejtuesi i saj, 46-vjeçari Sulejman Allushi, i cili mësohet se është në gjendje të rëndë në Spitalin e Traumës. Ndërkaq, dy pasagjerët e tjerë kanë pësuar vetëm dëmtime të lehta dhe gjenden në repartin e djegieve.
Grupi hetimor, i cili mbërrit në vendngjarje ka nisur mbledhjen e provave për zbardhjen e saj. Policia deri tani ka dy pista hetimi. Pista e pare lidhet me konfliktin për shkak të pronësisë. Rezulton se në vitin 2011, Sulejman Allushi së bashku me dy kushërinj të tij, janë konfliktuar dhe kanë plagosur Artur Zallinin, më të cilin prej kohësh kishin konflikte mbi një pronë të ndodhur në fshatin Ferraj në Tiranë.
Pista e dyte ka te beje me lidhjet familjare. Sulejman Allushi, i plagosur nga shpërthimi është vëllai i Sajmir Allushit, drejtorit të Paraburgimit 313 në kryeqytet, ku ndodhen disa nga personazhet më të njohur të botës së krimit, mes tyre Ndriçim Gjokona, i penduari i bandës së Tritolit, Dritan Dajti, Jetmir Llani e shumë persona të tjerë që janë në pritje të përfundimit të gjykimit. Por deri më tani, grupi hetimor është ende duke mbledhur prova dhe pritet përmirësimi i gjendjes shëndetësore të Allushit, për ta marr atë në pyetje.
Pogradec, pranga të riut me 4 kallëpe tritol
Ndërkohë, në orët e para të mëngjesit të së martës në Pogradec policia ka prangosur në flagrancë shtetasin Marius Gegprifti, banues në fshatin Potgozhan të Pogradecit. Në momentin e arrestimit të riut iu gjetën 4 kallëpe tritoli, 1 metër fitil ndezës dhe 720 fishekë model 56-të dhe të kalibrit 7.62.
Policia kishte kohë që e vëzhgonte adoleshentin dhe në kuadër të operacioni “Potgozhani” ka finalizuar me sukses arrestimin e tij. Akuza ndaj Gegpriftit është ajo e mbajtjes së municionit dhe materialet i kanë kaluar Prokurorisë.
Top Channel