Ligji për planifikimin e territorit

15/07/2014 00:00

Shoqata e Arkitektëve të Shqipërisë dhe profesorë të Arkitekturës kritikuan mos trajtimin e konceptit të hapësirës publike në ligjin e ri të planifikimit të territorit, si një mangësi që do të sjellë pasoja për komunitetin në të ardhmen.

“Nëse nuk fusim hapësirën publike si element që duhet trajtuar dhe zhvilluar, atëherë kemi dëmtuar cilësinë e jetesës. Është një mangësi kryesore e ligjit. Nuk e vë dot në ruajtje hapësirën e përbashkët”, deklaroi Maksim Mitrojorgji nga Shoqata e Arkitektëve.

Një tjetër shqetësim i shprehur nga arkitektët në Kuvend ishte mungesa e mekanizmave të kontrollit, për të mos lejuar më kaosin e ndërtimeve pa kriter.

“Në ligj nuk dallojnë qartë mekanizmat e kontrollit të specialistëve dhe përfituesve mbi organet vendimarrëse që deri më sot janë përgjegjëset kryesore të kësaj zallamahie në qytetet tona. Vendimmarrje qoftë administrative korruptive, qoftë politike për interesa të caktuara të momentit”, theksoi Mitrojorgji.

Shoqata e Arkitektëve dhe profesorët e Arkitekturës denoncuan përjashtimin e botës akademike nga hartimi i legjislacionit në vend, çka sipas tyre ka çuar shpesh në vendimmarrje të gabuara.

“Sinjalet për atë që po ndodhin në territor nuk janë optimiste, mund t’ju jap një shembull. Plani i përgjithshëm vendor i Bashkisë së Tiranës u miratua me intensitete që kanë diapazone zhvillimi nga 1 në 2 njësi, që do të thotë atë pallatin aty mund ta ndërtosh nga pesë deri në dhjetë kate”, tha arkitekti Arben Biçoku.

Top Channel