Ministri shqiptar i Mjedisit Lefter Koka zhvilloi një vizitë në rajonin e Lombardisë ku kreu një sërë takimesh me autoritetet lokale.
Në qendër të bisedave dhe takimeve qe bashkëpunimi mes dy vendeve në fushën e mjedisit, në veçanti në sektorët e trajtimit të mbetjeve, të pyllëzimit, të administrimit të burimeve hidrike dhe të përdorimit të tekonologjive më moderne në fushat e ndryshme të menaxhimit të mjedisit.
Ministri shqiptar deklaroi se Italia, që ka investuar gjithnjë shumë mbi novatorizmin dhe cilësinë është një partner i rëndësishëm për Shqipërinë. “Ne jemi të rinj në qeverisje, kemi hasur shumë vështirësi, kryesisht ekonomike. E dimë që kemi shumë për të bërë, por po punojmë me shumë vullnet dhe kemi arritur rezultate”, tha ai.
Duke përmendur faktin që Rajoni i Lombardisë është një ndër më të zhvilluarit e më të pasurit e vendit, ministri Lefter Koka ftoi investitorët italianë në Shqipëri, ku siç deklaroi ai “Qeveria shqiptare i mirëpret në klimë të re besimi dhe serioziteti”.
Delegacioni shqiptar vizitoi edhe qendrën Riccagioia, një strukturë ekselence në studimet, kërkimet dhe prodhimin e verës.
Top Channel