Gërmime ilegale në Maligrad

12/07/2014 00:00

Ishulli i Maligradit në komunën Pustec, i konsideruar si një prej zonave më të rëndësishme arkeologjike, vit pas viti po pushtohet nga gërmuesit ilegalë të cilët e kanë vendosur në qendër të hartave për ekspedita të ndryshme arkeologjike.

Së fundmi, grupe të paautorizuara dhe në mungesë të dokumentacionit kanë nisur gërmimet në pjesën e sipërme të ishullit. Një ekspeditë shqiptaro-greke pak ditë më parë ka nisur gërmimet të cilat janë ndërprerë nga ana e Drejtorisë së Monumenteve të Kulturës në Korçë.

Ekipi grek, nën udhëheqjen e arkeologëve shqiptarë,  ka hapur ilegalisht 4 gropa me një gjatësi prej 5 metrash dhe një thellësi prej 1 metër. Ndërsa gërmimi i konsideruar si i paligjshëm është pezulluar menjëherë.

“Vajtëm, gjetëm disa njerëz dhe u thamë të largoheshin. Vajti edhe policia, ata nuk kishin asnjë dokument”, ka deklaruar specialisti Ilia Themelko.

Gërmimet nga pala greke kanë sjellë edhe shqetësimin e banorëve dhe historianëve të cilët ngrenë alarmin e fshehjes së të vërtetës për shkak të historisë.

“Këto gërmime të arkeologëve shqiptarë bëhen në bashkëpunim me ata grekë, gjë që na shqetëson si komunë dhe popullësi, sepse nëse shqiptarët duhet të bashkëpunojnë, duhet ta bëjnë këtë me arkeologët maqedonas dhe jo ata grekë, që shtrembërojnë realitetin maqedonas”, ka thënë historiani Spase Mazenkovski.

Ndërprerja e punimeve nga Drejtoria e Monumenteve të Kulturës ka ardhur pasi projekti i ekspeditës në fjalë është rrëzuar nga Këshilli Kombëtar i Arkeoloogjisë dhe aktualisht ata nuk kanë një leje gërmimi.

Top Channel