Në një kohë kur reforma territoriale po shkon drejt fundit, PDIU pjesë e opozitës, thyen bojkotin duke sjellë në komisionin e posaçëm parlamentar propozimet e saj.
“Ne mbështesim nevojën e krijimit të dy komunave minoritare në Vurg dhe Dropull, po ashtu siç kanë deklaruar të gjitha forcat politike . Këtu ne ama kemi disa shqetësime ekzistenciale në lidhje me funksionalitetin e komunave të tjera të atyshme. Bashkia e Konispolit, komuna Markat dhe Xarrë duhet doemos të krijojnë një bashki të re, më vetë, atë të Konispolit, në mënyrë që të mundësohet administrimi i kësaj zone dhe funksionaliteti i saj si dhe të gjitha kriteret e tjera”, u shpreh Ardi Bido, sekretari për Marrëdhëniet me Publikun në PDIU.
Bledi Çuçi, ministër i Pushtetit Lokal u shpreh se, mes propozimeve PDIU-s ka pika të përbashkëta takimi dhe se dikasteri i tij komentet për to do t’ja dërgoj komisionit nëpërmjet një dokumenti të veçantë.
Bashkim Fino, kryetar i komisionit u shpreh i kënaqur për mendimet dhe sugjerimet e ardhura nga 2/3-tat e 12 qarqeve të vendit përfshi edhe të kryetarëve të bashkive apo komunave drejtuar prej demokratëve. Por për herë të parë Fino zbuloi se çfarë kishte ndodhur kur opozita mësoi se 10 njësi vendore, të drejtuara nga demokratët ishin shprehur pro reformës.
“Ata 10 kryetarë bashkie të PD-s dhe ato 16 këshilla të PD-s kanë dërguar një shkresë të dytë dhe thonë se jemi kundër së parës për shkak se rezoluta e tyre presupozon të bëjë decentralizimin e më pas reformën territoriale. Që këtu është shumë e kuptueshme manipulimi apo ajo që thashë më parë, presioni i një force politike ndaj pushtetarëve local të zgjedhur drejtpërsëdrejti nga populli për të drejtuar komunat dhe bashkitë”, deklaroi Fino.
Ndërsa Petrit Vasili, i cili kishte asistuar bashkë me Finon në konferencën e organizuar nga opozita u shpreh se në vend që të prodhohej një dokument me propozime, u hartuar një rezolutë, të cilën e vlerësoi si një hap spektakolar prapa nga frika e mosmarrjes së një vendimi.
“Ka kurajo apo s’ka kurajo opozita të bëhet pjesë e vendimmarrjeve madhore kjo është çështja e saj. Megjithatë dashamirësia, mendjehapja dhe e gjithë ideja jonë për të dëgjuar ide konkrete jo karta parimesh vazhdon të jetë konstante dhe besoj që ky është vullneti I të gjithë kolegëve këtu edhe i kryetarit për këtë gjë”, tha Petrit Vasili.
Top Channel