Kryetari i Komisionit Parlamentar të Sigurisë Kombëtare, Spartak Braho, e konsideron një kërcënim të hapur ndaj sigurisë së vendit veprimet e Këshillit të Lartë të Drejtësisë.
“Mbledhja e fundit e KLD-së dëshmoi edhe një herë se ky institucion është kthyer në një sekt pa identitet. Është kthyer në një sekt puçistësh të rrezikshëm për drejtësinë, të cilët komplotojnë orë e çast kundër Kushtetutës dhe kundër reformave që kërkon sot sistemi i drejtësisë. Ata përbëjnë një rrezik për sigurinë kombëtare të vendit”, u shpreh Braho.
Braho akuzoi gjyqtarin Gjin Gjoni dhe Këshillin Kombëtar të Konferencës Gjyqësore: “Në krye të kësaj rezolute, si nënkryetar i këtij Këshilli ishte Gjin Gjoni, një njeri i penalizuar. Ai merr pjesë në këtë Këshill dhe jep leksione moralizuese. Shikoni kush e drejton Këshillin e Lartë të Drejtësisë: Elvis Cefa. Një vjedhës ordiner. Vetëm me një firmë ka grabitur 10 milionë metra katrorë tokë në Durrës.”
Si deputet i mazhorancës, Braho i bëri thirrje anëtarëve të KLD-së të zgjedhur nga Parlamenti të japin dorëheqje në të kundërt tha ai ka instrumenta kushtetues për t’i shkarkuar.
“Duhet të largohen sa më parë, është në nderin e tyre të japin dorëheqjen. Në të kundërt, Kuvendi i Shqipërisë do të veprojë. Ata nuk i ka zgjedhur kjo mazhorancë, nuk mund të jenë përfaqësues të kësaj mazhorance”, tha Braho.
Top Channel