AKU mbyll 55 subjekte tregtare

11/07/2014 00:00

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka bllokuar 55 subjekte në tregun e ish-uzinës “Dinamo” dhe në tregun e ish-qyetit të Nxënësit në Kombinat për mungesë të respektimit të kushteve të tregtimit, kryesisht të produkteve të bulmetit.

Ndërkohë që do të jetë një vendim i përbashket i task forcës që do të vendosë për vijimësinë e ushtrimt të aktivitetit të këtyre subjekteve.

“Gjatë inspektimeve është vënë re se gjendja është kritike. Ka probleme në strukturat e subjekteve, të cilat nuk plotësojnë kushtet e përshtatshme për të përpunuar produktet. Kryesisht kemi kushte të rënda higjeno-sanitare dhe lagështirë. Numri i këtyre subjekteve rritet përditë”, ka deklaruar Taulant Kalo, drejtor i AKU-së.

Gjatë aksionit për kontrollin e dy tregjeve, subjektet nuk kanë lejuar inspektorët të ushtrojnë kontrollet, duke mbyllur qepenat në momentin e shfaqjes së tyre.

“Gjatë këtyre inspektimeve kemi hasur rezistencë, por përgjithësisht tregtarët janë treguar bashkëpunues. Ka pasur disa që kanë mbyllur dyqanet në shenjë proteste, që nuk është gjë e mirë sepse ne do përshkallëzojmë inspektimet tona”, ka thënë Kalo.

Ditën e martë, në prefekturën e Tiranës do të zhvillohet një tjetër mbledhje e task forcës për të dalë me një vendim se si do të veprohet me subjektet që deri më tani janë konstatuar se ushtrojnë këtë aktivitet duke shkelur ligjin për sigurinë ushqimore të konsumatorëve.

Top Channel