Ministri i Bujqësisë, Edmond Panariti u kërkoi pronarëve të restoranteve që të rrisin ofertën e produkteve shqiptare, duke rezervuar një faqe të veçantë të menusë së tyre për prodhimet e vendit.
“Unë mendoj se është e drejta e konsumatorit shqiptar ta ketë si ofertë në një fletë të veçantë. Ne po krijojmë një traditë të konsoliduar për produktet shqiptare”, deklaroi Panariti.
Ministri kërkoi që prioritet i veçantë t’u jepet produkteve të çertifikuara me vulën e cilësisë, siç është vera apo vaji i ullirit, por edhe ujit të prodhuar në vend.
Por përfaqësues të biznesit thonë se ka mjaft raste kur cilësia lë për të dëshiruar, ndërsa çmimet janë të njëjta me ato të produkteve të importit.
“Unë shoh prani jo të mjaftueshme të ujit shqiptar në restorante, ndoshta edhe për shkak të ambalazhit. Le të shërbejë ky si një apel për prodhuesit shqiptarë të ujit që ta ndryshojnë ambalazhin”, tha Panariti.
“Pjesa e ujit. Uji italian në treg ka të njëjtin çmim me ujin shqiptar. Ambalazhi është ndryshe, ka që infiltrojnë ujë në treg dhe prishin imazhin. Por ambalazhi dhe cilësia duhet të kontrollohen nga shteti, pasi janë gjëra të përcaktuara”, deklaroi Indrit Nuredini, përfaqësues i biznesit.
Bizneset kërkuan nga ministria forcimin e kontrollit të cilësisë së produkteve shqiptare, kategorizimin dhe përmirësimin e ambalazhimit.
Top Channel