
Banka e Vatikanit ka zbarkuar në “Wall Street” me shpresën për të hedhur pas krahëve të shkuarën e saj të turbullt.
Banka, funksionet e së cilës janë këshillimi dhe sigurimi financiar për Kishën Katolike është vendosur në qendër të akuzave për pastrim parash. Në vitin 2012 një raport i Bashkimit Europian gjeti shkelje në disa transaksione. Megjithëse thuhet se mundësitë për të gjetur një vepër penale në këto transaksione janë të pakta, raporti thekson se transfertat në shuma të mëdha të parave dhe mungesa e informacioneve për burimin e parave të disa organizatave jofitimprurëse ngre dyshime të thella mbi mundësitë që banka të jetë përdorur për pastrimin e parave të pista.
Prej më shumë se një viti drejtuesit e rinj të Institutit të Punëve të Fesë, siç njihet formalisht Banka e Vatikanit kanë nisur punën për t’u përballur me akuzat duke verifikuar klientët e bankës, investimet me probleme dhe duke përmirësuar transparencën.
“Synimi ynë është që të shndërrohemi në një model të manaxhimit financiar dhe jo në një shkak e burim skandalesh”, deklaroi kreu i ekonomisë së Vatikanit, Kardinali George Pell.
Gjatë javës, në raportin vjetor të dytin të publikuar prej bankës u raportuan fitime neto rreth 2.9 milion euro, shumë herë më pak se në 2012, kur u raportuan 86.6 milion të tilla.
Përpos përmirësimit të bilanceve financiare duke shmangur skandalet, Vatikani synon edhe rritjen e prezencës mediatike me sa më pak shpenzime dhe për këtë kanë kontaktuar ish-drejtorin e BBC-së, Chris Patten me objektiv rritjen e aktivitetit kryesisht në mediat social përmes Pope App dhe profilit zyrtar të Papa Françeskut në Twitter.
Top Channel