Partia Demokratike ka akuzuar kryetarin e Kuvendit Ilir Meta se është përpjekur të fshehë vdekjen e një të riu që u aksidentua nga eskorta e tij.
Në një deklaratë për mediat paraditen e së martës, zëdhënësja e PD, Laura Vorpsi ka deklaruar se Meta dhe bashkëpunëtorët e tij janë përpjekur ta mbajnë të fshehtë këtë ngjarje.
“Eskorta e kreut të Kuvendit ka përplasur për vdekje një 19-vjeçar. Ngjarja e rëndë ka ndodhur dy netë më parë rreth orës 22, në fshatin Bilal.
Aksidenti u kthye në ngjarje kriminale pasi për 48 orë Ilir Meta arriti të fshehë ngjarjen. Përpjekja për të varrosur faktet dhe të vërtetën është një akt mafioz.
I kërkojmë Policisë së Shtetit të bëjë menjëherë transparencën e aksidentit. Gjithashtu, PD i kërkon Ilir Metës të kërkojë ndjesë pasi është përpjekur të fshehë jetën e humbur të 19-vjeçarit Marsel Lohaj”, ka deklaruar Vorpsi.
Ndërkohë, Policia e Shtetit ka reaguar pak më vonë lidhur me këtë denoncim, duke saktësuar se ngjarja ku humbi jetën 19-vjeçari është njoftuar në komunikatat ditore.
Aksidenti në komunikatën e policisë
Policia: Asnjë aksident i eskortës, gardisti nuk ka qenë në shërbim
Policia ka reaguar pas deklaratës së dhënë nga Partia Demokratike, në lidhje me aksidentin e ndodhur dy ditë më parë në aksin rrugor Maminas-Manzë.
Sipas Policisë së Shtetit, nuk qëndrojnë akuzat se policia e ka fshehur këtë aksident dhe se ka dashur të manipulojë ndodhinë. Ngjarja është reflektuar në komunikatën ditore për shtyp të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Durrës, pika 16 e saj, ku sqarohet se:
“Më datë 07.07.2014, ora 04.00, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit Kastriot Braho, 43 vjeç, banues në Tiranë, pasi më datë 06.07.2014, rreth orës 21.45, në aksin rrugor Maminas-Manëz, në vendin e quajtur Bilalas, duke drejtuar mjetin Benz me targa AA 067 JP, ka aksidentuar me pasojë vdekje këmbësorin M.L., 19 vjeç, banues në Maminas. Materialet iu kaluan Prokurorisë Durrës për veprën penale të ‘Shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor’”.
Reagim mbi akuzat e selisë së Partisë Demokratike ka bërë edhe Ministria e Brendshme. Sipas këtij reagimi, deklarohet se eskorta e zotit Meta nuk është përfshirë në asnjë aksident rrugor. Ministria e Brendshme e quan të pavërtetë denoncimin e Partisë Demokratike, për sa kohë ngjarja është bërë publike.
Ministria e Brendshme sqaron se, pas ndalimit të autorit të aksidentit nga policia, prokurori pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, Ilir Turja, ka drejtuar dhe ndjekur gjithë veprimet proceduriale, që nga momenti kur është marrë njoftimi për ndodhjen e këtij aksidenti. Ministria nënvizon se shtetasi K. B., officer pranë Gardës së Republikës, në momentin e ngjarjes nuk ka qenë madje as me shërbim.
Por, pas deklaratës shpërndarë në media nga Ministria e Brendshme,Partia Demokratike sërish reagoi me anë të zëdhënëses së saj.
“Reagimi i Ministrisë së Brendshme nuk i jep asnjë përgjigje shqetësimit tashmë mbarëpublik për mosraportimin e ngjarjes së rëndë. Përse Ministria e Brendshme nuk e ka raportuar ngjarjen kur ajo ka ndodhur dhe e bën të ditur vetëm pas denoncimit të Partisë Demokratike? Si shpjegohet që shefi i eskortës së kryetarit të Kuvendit ka qenë duke lëvizur privatisht pikërisht në ditën kur zoti Meta ka qenë në plazhin e Lalzit dhe është parë gjatë gjithë kohës atje nga dëshmitarë okularë?
Ngjarja e dy netëve më parë dhe fshehja e lajmit janë sjellje kriminale”, theksoi Vorpsi.
Top Channel