Problematika me infrastrukturën rrugore që është shndërruar shpesh në shkak aksidentesh ka detyruar qeverinë të kërkojë përshpejtimin e proçedurave të dhënies me konçesion të mirëmbajtjes së rrugëve kryesore në vend përmes pagesës.
“Mungon sinjalistika, rrugët janë në ndërtim. Për këtë kërkohet përshpejtimi i proçedurave”, ka deklaruar zv/ministrja e Zhvillimit Urban, Brunilda Paskali.
Ndryshimi në ligjin për konçesionet i propozuar nga qeveria konsiston në përjashtimin nga proçedurat e zakonshme të cilat kërkojnë më shumë kohë në dispozicion të dhënies me konçension të rrugëve nacionale dhe atyre që konsiderohen të një rëndësie të veçantë.
Përfaqësuesi i Ministrisë së Transporteve thotë se një nga akset e para që pritet të jepet me konçesion tek privatët është Milot-Kukës, pjesë e Rrugës së Kombit.
Përpjekja e parë për dhënien me konçesion të mirëmbajtjes së këtij aksi dështoi për shkak të mungesës së interesit dhe pamundësisë për të kryer një studim të saktë të fizibilitetit dhe përllogaritur një kosto të saktë të mirëmbajtjes.
“Ligji ekzistues kërkon një studim fizibiliteti të detajuar. Në kushtet që jemi, me të dhënat që kemi nuk mund t’i bëjmë një analizë cilësore për të vendosur nëse shtetit i intereson ta bëjë vetë punën apo t’ia japë dikujt tjetër duke ndarë fitimin. Nëse ka fitim, sepse sipas llogaritjeve nuk ka fitim”, ka thënë Eduard Seitaj, sekretar i përgjithshëm në Ministrinë e Transporteve.
Deputetët kërkuan një përcaktim më të qartë të rrugëve që do të jepen me konçesion tek privatët dhe asaj çfarë do të cilësohet si vepër e rëndësisë së veçantë.
Top Channel