Parada e shqiptarëve në Nju Jork

05/07/2014 00:00

Për të pestin vit me radhë në Nju Jork është organizuar parada e shqiptarëve. Një paradë që ka kulmuar në Manhatan e ku kanë marrë pjesë mijëra shqiptarë nga zona të ndryshme të Amerikës.

Për organizatorët kjo është një mënyrë për të treguar se shqiptarët, të konsideruar gjithmonë kaq të vegjël, janë mjaftueshëm të mëdhenj për të bërë që zëri i tyre të ndihet edhe këtu në zemër të vendit më të fuqishëm në botë.

“Kjo paradë bashkon shqiptarët jo vetëm në Shtetet e Bashkuara por në të gjithë botën dhe kjo paradë ka shumë rëndësi, sepse siç e shihni shumica janë të rinj që janë rritur këtu në Amerikë dhe ne me këtë paradë mundohemi t’u japim atë patriotizëm shqiptar që të ndihen krenarë që janë shqiptarë e që këtu në Amerikë t’i thonë gjithë botës që janë shqiptarë”, u shpreh Marko Kepi.

“Ne kemi parulla për Çamërinë, për Maqedoninë, kemi parulla për Malësinë, e të tjera, por sidomos për Kosovën. Ta dinë të gjithë që ne jemi bashkë, nuk jemi katër shtete. Ne e dimë, por duam që edhe bota ta dijë”, tha organizatori tjetër Besmir Hoxha.

Në këtë paradë janë dorëzuar edhe çmime të veçanta, mes të cilëve Mark Gjonaj, anëtari demokrat i asamblesë së Nju Jorkut dhe gazetari i Top Channel Marin Mema, për kontributin në ruajtjen dhe promovimin e vlerave kombëtare. Gjonaj e Mema ishin gjithashtu edhe marrshallët e nderit të kësaj parade.

Në fjalën e tij gazetari i Top Channel ftoi të gjithë të rinjtë shqiptarë që kanë lindur apo shkollohen e punojnë jashtë vendit që të kontribuojnë me eksperiencat e tyre të shkëlqyera në fusha të ndryshme edhe për Shqipërinë.

“Ta ruajmë gjuhën shqipe, ta ruajmë të qënit shqiptarë dhe të qënit bashkë. Të jemi bashkë, sepse vetëm të bashkuar mund të bëjmë diçka për Shqipërinë tonë”, u shpreh Mema.

Të dielën në emisionin “Exclusive”, Top Channel do të sjellë si kurrë më parë paradën e shqiptarëve në Nju Jork, jo thjesht zhvillimin e saj por edhe gjithçka fshihet pas këtij organizimi masiv të jashtëzakonshëm.

Një rrugëtim mes shqiptarëve, takime të ndryshme, karaktere dhe personazhe që japin kaq shumë për Shqipërinë edhe pse në krahun tjetër të botës.

Top Channel