Top Story, pakti me CEZ dhe sistemi energjitik

03/07/2014 00:00

Prej vitesh i gjithë sistemi energjitik i vendit është shfaqur si sektori më problematik që nuk mbulon shpenzimet e veta dhe që vit pas viti ka krijuar një zinxhir borxhesh që kapin vlera miliarda dollarë sot.

Me dhënien tek çekët e CEZ u mendua se sistemi i shpërndarjes, hallka me problematike e gjithë sistemit, do të përmirësohej dhe situata do të ndryshonte. Por jo. Situata i përkeqësua edhe më tej dhe në janar të vitit të kaluar pas një konfliktit disa-mujor qeveria shqiptare përzuri kompaninë çeke.

E majta ka premtuar reforma të thella në këtë sistem, por sipas saj me konfliktin e hapur në Gjykatën e Arbitrazhit këto reforma nuk mund të ndërmerreshin, ndaj u ul në tavolinë me kompaninë çeke dhe bisedimet prodhuan një marrëveshje që i rikalon në kontroll shtetit sistemin e shpërndarjes për 95 milionë euro.

Çfarë kostoje ka kjo marrëveshje për shqiptarët? A ishte kjo e vetmja mënyrë zgjidhjeje? A ushtroi Çekia presion për bllokimin e statusit nëse nuk zgjidhej konflikti me CEZ?

Këtyre dhe të tjera pyetjeve iu dha përgjigje në Top Story me gazetarin Sokol Balla vetë Ministri i Energjitikës, Damian Gjiknuri përballë ish-drejtuesit të KESH-it, Gjergji Bojaxhi, analistit Shpëtim Nazarkos dhe gazetarit të Top Channel, Klodian Tomorri.

“CEZ nuk e kishte paraqitur ende padinë e saj dhe nëse do ta kishte bërë do të kishte qenë e pamundur për qeverinë të merrte veprime të tjera. Zgjodhëm një zgjidhje deri diku komplekse, por që është më e mira dhe ku fatura financiare do të mbahet nga shoqëria dhe jo buxheti i shtetit. Çdo zgjidhje tjetër do të kishte qenë një vendimmarrje e vështirë. Kemi pasur një diskutim të mirëfilltë juridiko-financiar”, nisi fjalën e tij Gjiknuri.

Marrëveshja u publikua thuajse njëkohësisht me marrjen e statusit të vendit kandidat për në BE, ai ishte ajo një kusht i çekëve për të thënë “po”. Ministri Gjiknuri nuk mohoi duke thënë se çdo vend përdor instrumenta të ndryshëm për të mbrojtur interesat e tij, por ai mohoi se në tryezën e bisedimeve me palën çeke të jetë diskutuar bllokimi për këtë arsye.

“Në tryezë me CEZ nuk është përmendur asnjëherë çështja e statusti, por është diskutuar mbi termat teknikë dhe juridikë të marrëveshjes”, tha ai.

Gazetari i Top Channel Klodian Tomorri pyeti nëse, është e vërtetë që kompanitë që kanë bërë auditimin kishin vlerësuar se dëmi ndaj Shqipërisë  mund të arrinte në 3 mld dollarë?

“Ata dhanë vlerësimin e tyre. Dihet që sektori i shpërndarjes performoi keq, që situata nuk është në gjendje të mirë financiare. Shteti përdori forcën ndaj një privati dhe megjithatë, me çekët u arrit zgjidhja më e mirë. Qeveria kur erdhi në pushtet kërkoi zgjidhjen me marrëveshje sepse sektori kishte nevojë për financime dhe përmes një marrëveshjeje me BERZH do të kemi një ndihmë prej 200 milionë dollarë”, sqaroi ministri.

Gjiknuri tha se vendimi ka qenë i vështirë, por kushtet ku ndodheshim, me një rrezik potencial që mund të përballeshim me shifra që shkonin në dyfish të vlerës, ai rithekson se është një zgjidhje shumë e mirë.

Për Gjergji Bojaxhi dëmi ekonomik që i është shkaktuar Shqipërisë në këto 5-6 vjet është i madh.

“Më i madhi që ka pasur Shqipëria në këto vite. Me zgjidhjen që ka bërë qeveria aktuale, asnjë palë nuk merr një përgjegjësi për këtë dëm. Problemi kryesor është se të gjithë dalin të palarë dhe duhet të ndëshkohen për këtë katastrofë financiare. Fatkeqësia e kësaj marrëveshjeje është se e mbyll, i vë kapak kësaj çështjeje. Pa shkuar në Arbitrazh nuk i ndëshkon dot njerëzit. Arbitrazhi ka një bazë më të besueshme dhe mund të kthehesh mbrapa tek të gjithë faktorët, tek qeveria shqiptare, tek kompania, etj. Ne nuk duhet të përsërisim ato që ka ndodhur”, tha Bojaxhi.

A ka ndonjë pakt mes shtetit shqiptar dhe CEZ-it, përpos atij të bërë publik? Ministri Gjiknuri tha se nuk ka pakte, ndërsa fajësoi klasën politike se me ndërhyrjet e saj për qëllime të caktuara ka shkaktuar një dëm tepër të madh financiar për vendin.

“Maskarada CEZ erdhi për shkak të aferave që bënte shteti dhe kompania, që toleronin njëri-tjetrin. Fatkeqësia është se do të pushohen shumë çështje. Ka çështje me garanci 80 milionë dollarëshe. Unë si ministër duhet ta trajtoj këtë rast ekonomikisht, nga ana financiare. Informaliteti në energji do të jetë një problem i madh për këtë qeveri. Dëmet që janë bërë janë bërë nga ndërhyrjet e politikës, për interesa të ndryshme”, tha ai.

Por a u jep udhë zgjidhjeve problemeve komplekse që ka gjithë sistemi kjo marrëveshje? Për ministrin Gjiknuri, po.

“Shpresojmë që me masat e marra të rregullojmë disa probleme, por duhen reforma të thella. Ndër masat e marra është pastrimi i llogarive. Futja e faturës aforfe ishte e diktuar nga kushtet sepse kemi mbi 200 mijë familje që konsumonin energjinë dhe nuk paguanin. Duhen reforma të thella e ndër to është hapja e tregut dhe zgjidhja e konfliktit me CEZ është masa e parë sepse me konfliktin me CEZ i kishim duart e lidhura. Ndaj rruga e zgjedhur mund të jetë me pak dhimbje, por mendoj që është e duhura që i hap rrugë reformave të thella në sistem”, tha Gjiknuri.

Megjithatë, Gjergji Bojaxhi u shpreh pesimist për mënyrën e menaxhimit të CEZ nga qeveria aktuale, e cila sipas tij nuk lë shpresë për të ardhmen. “Drejtori aktual i CEZ është ish-drejtor në Bashkinë e Tiranës në kohën kur ajo drejtohej nga zoti Rama. Me pak fjalë, këtu nuk ka interesa për të bërë një mbikëqyrje serioze dhe për të kërkuar llogari”, deklaroi Bojaxhi.

“Duke njohur shpërndarjen, dimë se ka disa parametra brenda aspektit të menaxhimit të kompanisë dhe deri tani unë nuk shoh që ajo të jetë në drejtimin e duhur”, u shpreh ish-drejtuesi i KESH-it.

Dje në opozitë, Partia Socialiste kritikoi shumë prej konçesioneve dhe privatizimeve të dhëna nga qeveria e demokratëve, ndërkohë që me ardhjen në pushtet rikonfirmoi disa prej këtyre vendimeve që vetë kishte kritikuar.

Në nisje të pjesës së dytë, Ministri Gjiknuri kujtoi se ndër vendimet e para të marra prej kësaj qeverie ka qenë anulimi i 13 kontratave koncesionare për HEC-et të dhëna në periudhën pas zgjedhjeve të 23 qershorit.

“Ishin koncesione të dhëna në një periudhë kur qeveria duhet vetëm të këqyrte punët e shtetit duke qenë se po e linte pushtetin dhe jo të krijonte pasoja financiare për sektorin për të cilin ishte votuar kundër. Një vendim i rëndësishëm para intekonjeksionit me Kosovën, që unë nuk e di përse Sali Berisha e sabotoi, sepse është një lidhje shumë e rëndësishme me Kosovën. Ne e kemi quajtur autostrada energjitike me të drejtë sepse do të harmonizojë sistemin energjitik në të dyja vendet. Një tjetër hap i rëndësishëm është edhe kontrolli në minierën e Bulqizës, përfshirë këtu edhe pezullimin që i është bërë një koncesionari dhe shkaku kanë qenë shkelja e afateve në investimet prej koncesionarit”, tha Gjiknuri.

Sipas Ministrit të Energjitikës, ishin masat e qeverisë që detyruan koncesionarët në Bulqizë që të investonin në zonat ku u kërkohej dhe flitej prej dhjetë vitesh që duhej vënë dorë. Ai tha se qeveria vazhdon procesin e shqyrtimit të kontratave koncesionare, por duke shmangur atë që ai e quajti “gjueti shtrigash”.

“Kemi hequr në vazhdimësi kontratat që kanë mbetur në letër dhe nuk po zbatohen. Hoqëm mbi 120 leje minerare për arsyen se zbuluam që shtetit nuk po i pagueshin detyrimet. Firmat punonin në të zezë. Do të vazhdojmë me kontrollet dhe me verifikimet. E njëjta gjë po bëhet edhe me HEC-et. Kemi gati një listë tjetër me koncesione që kanë mbetur vetëm në letër”, shtoi Gjiknuri, duke plotësuar se dje në opozitë Partia Socialiste nuk kishte kritikuar procesin e koncesionit të HEC-eve, por faktin që gjithçka ishte bërë në mënyrë të paplanifikuar.

Ministri Gjiknuri u ndal më pas tek gazsjellësit TAP dhe tek masterplani i gazifikimit të vendit. Ai tha se kalimi i këtij gazsjellësi nëpër tokën shqiptare është një mundësi e shkëlqyer zhvillimi që do të diversifikojë burimet e energjisë.

“Gazi shumë thjesht mund të vendosë në punë TEC-in e Vlorës për prodhim energjie me një çmim të lirë. Po punojmë fort me Azerbajxhanin, madje kemi bërë edhe një memorandum bashkëpunimi të nënshkruar mes dy vendeve”, tha ai.

Një tjetër plan i qeverisë është bashkëpunimi me Kosovën dhe pas ndërtimit të linjës së intekonjeksionit është ndërtimi i një TEC-i atje ku Shqipëria të ketë rolin e saj në investim, por edhe në pjesën e energjisë që do të prodhojë ky TEC.

Pak pas marrjes së pushtetit dhe njohjes me situatën në sistemin energjitik, Ministri Gjiknuri do të deklaronte se ishin të domosdoshme disa reforma të dhimbshme. Por për çfarë bëhej fjalë?

“Cdo reformë është e dhimbshme. Ne hendekun financiar do të vazhdojmë ta përballojmë, kështu siç kemi bërë deri më tani. Kemi 10-15 vjet që buxheti i shtetit përballon sektorin energjetik. Gjithmonë është subvencionuar”, tha Gjiknuri duke vazhduar më pas me propozimet dhe synimet për liberalizimin e 30 përqind të tregut.

Në pjesën e tretë u fol për cilësinë e karburanteve dhe për çmimet e tyre. Cilësia e karburanteve në vendin tonë është e ndryshme nga ajo jashtë vendit dhe kjo ndihet në performancën e automjeteve. Ndërkohë, çmimet janë ndër më të shtrenjtat në rajon. Qeveria ka marr disa masa për monitorimin e cilësisë apo për numrin e pikave të karburantit, por a është kjo ndërhyrja e duhur në tregun e hidrokarbureve?

Ministri i Energjitikës, Damian Gjiknuri e lidhi abuzimin e cilësisë me numrin e madh të karburanteve dhe të impianteve të përpunimit në vendin tonë.

“Mënyra se si është organizuar tregu i karburanteve në Shqipëri lë për të dëshiruar, pasi numri i tyre është mjaft i lartë. Ose do të abuzojnë në taksa ose në cilësi . Qeveria po e merr seriozisht këtë punë pasi kemi ngritur një grup që po merret me studimin dhe me daljen e një plani masash për minimizimin e pikave të karburantit. Edhe krijimi i impianteve që merrnin naftën bruto, e cila është e destinuar për import ose rafineri të mirëfillta të licencuara. Në Fier filloi shtimi i tyre pa masë, duke hedhur më pas në treg naftë të palicensuar dhe të pakontrolluar. Këto ditë kalojnë në Parlament ndryshimet e reja për hidrokarburet. Do të përcaktohen edhe rregullat teknike për pikat e karburanteve. Ka edhe një politike të qeverisë për rishikimin e të gjithë këtij kompleksiteti në lidhje me pikat e karburantit për të eliminuar evazionin fiskal, por njëkohësisht edhe për të siguruar një konkurrencë për një cilësi më të mirë në treg”, u shpreh ministri.

Gzetari Klodian Tomorri pyet për mënyrën se si qeveria do të veprojë për zgjedhjen e pikave të karburantit të cilat do të prishen dhe cilat jo.

“Si fillim do të eliminohen ato pika të cilat janë pa leje, më pas do të krijohet koha e nevojshme , ashtu si edhe me tregtarët e karburanteve për të pasur tregtarë shumicë më serioz. Nëse do të shikojmë pikat e karburantit në raport me popullsinë dhe me territorin do të vërejmë se këtu ka më shumë se 1600 pika karburanti në një vend me 3 milion banorë, kjo është absurde”, tha Gjiknuri.

Në të njëjtin mendim me ministrin ishte edhe Gjergji Bojaxhi tha se në këtë sektor janë bërë shkelje të mëdha, sidomos nga 2009-ta.

Ky është një sektor, i cili ka shumë probleme, sidomos në vitet 2009-2013 kontrolli i tregut thuajse ka rrëshqitur totalisht. Sektori i karburanteve në Shqipëri është një sektor ku ka një paligjshmëri të madhe, si nga cilësia e produktit, por edhe në pjesën e evazionit fiskal. Ka mbijetuar kush ka shkelur ligjin më shumë në këto dy drejtime. Inspektorati e ka lejuar këtë gjë dhe mbase edhe ka përfituar. Sot në vendin tonë çmimi i karburanteve me cilësinë që ofrohet lë shumë për të dëshiruar. 

Ministri i Energjitikës tha se këto 8 muaj qeverisje ‘janë bërë publik shkelësit dhe ka pasur mbi 3 përqind të kontrollit në masë, të cilat nuk janë bërë gjatë qeverisjes së kaluar’.

Sipas zotit Nazarko, TAP një ëndërr e bukur apo një realitet?

“TAP-in e ka sjellë pozicioni gjeografik i favorshëm i Shqipërisë. Eksportet tona prej shumë kohësh janë  kromi, nafta, vitet e fundit çimentoja dhe gurë, gjithashtu edhe rezervat ujore. Transporti i këtyre elementëve për t’i eksportuar kërkon infrastrukturë. Në 20 vite këta, nuk kanë ndërtuar asnjë hekurudhë, por edhe ato që ishin i kanë prishur”, u shpreh Nazarko.

Gjiknuri deklaroi se nga gazsjellësi duhet të përfitohet sa më shumë si në ndërtimin e tij dhe më pas. Kjo do të jetë një sfidë sipas tij.

“Është sfidë e kësaj qeveria që TAP-in ta kthejë nga një gazsjellës tranzit në një burim për plotësimin e nevojave energjitike shqiptare edhe për konsumatorin. Ne po punojmë me vendet të cilat kanë lidhje me këtë gazsjellës dhe perspektiva është e mirë. Në fillim do të fillojnë rrugët ndihmëse për gazsjellësin dhe më pas do të fillojë ndërtimi i tij. Ne si qeveri kemi lobuar që mbi 30 përqind të vlerës së parave që do të hidhen në këtë gazsjellës të menaxhohen nga kompani shqiptare”, tha ministri. 

Top Channel