Historia e arkitekturës shqiptare

27/06/2014 00:00

Plot 540 mijë dokumenta të grumbulluara në 45 mijë dosje dëshmojnë historinë urbanistike të vendit. Në 20-vjetorin e krijimit të Arkivit Qëndror Teknik të Ndërtimit, Ministria e Turizmit dhe Zhvillimit Urban, Eglantina Gjermeni tha se është shumë i rëndësishëm përfundimi i dixhitalizimit të dokumentacionit në këtë institucion.

“Një nga dokumentet e vjetra është ai për projektin e rikonstruktimit të urës mbi lumin Bunë që nga viti 1911. Nuk ka komb pa histori e pa dokumenta dhe dokumentacioni që është në këtë arkivë na shërben për të mësuar këto gjëra të mira të bëra ndër vite”, deklaroi Gjermeni.

Drejtori i parë i arkivit teknik, Agim Mero kujtoi se një pjesë e madhe e ndërtimeve në Tiranë janë bërë nga italianët dhe këto ndërtime kanë vlera të veçanta edhe sot.

“Shumë italianë kanë qenë projektuesët e bulevardit të Tiranës dhe planit rregullues të kryeqytetit. Godinat që do të merrte në patronazh qeveria italiane ishin Banka e Tiranës, hotel Dajti dhe Pallati i Brigadave”, deklaroi Mero.

“Janë të gjitha detajet e realizimit të Pallatit të Brigadave, për të cilin ka punuar edhe Petro Koçinari. Ne po bëjmë përpjekje për t’i sjellë këto dokumenta nga Arkiva e Shtetit tek Arkiva Teknike”, deklaroi arkitekti Artan Shkreli.

Arkitekti Agron Jano është kujtuar në këtë sallë si një nga njerëzit që ka dhënë vlera të rëndësishme në arkitekturë, por edhe në Akrivin Qëndror Teknik.

“Agroni ishte një arkitekt integral që ka lënë në dokumentat e tij që nga planet e dorezave të dyerve deri tek ato të godinave që do të ndërtoheshin”, kujtoi Shkreli.

Drejtori i këtij institucioni, Gjergji Thomai tha se deri më tani mbi 20% e dokumentave janë dixhitalizuar. Në 20-vjetorin e krijimit të Arkivit Qëndror Teknik, arkitektët kanë kujtuar se një pjesë e planit urbanistik të Tiranës është hartuar nga italianët.

Top Channel