
0694100003, në këtë numër, por edhe në numrin tjetër pa pagesë, 129, grupi i hetimit shpreson ende se do të ketë telefonata me interes nga qytetarët, të cilëve u garantohet anonimiteti, por edhe u ofrohet shpërblimi prej 100 mijë eurosh, për të dhëna që do t’i ndihmonin prokurorët për të rënë në gjurmët e ekzekutorëve të bankierit Artan Santo.
Ashtu sikurse edhe ky filmim, i bërë me një aparat celular nga një qytetar të hënën, pak para vrasjes, teksa dy vrasësit ishin duke pritur bankierin Artan Santo të dilte nga shtëpia. Dy vrasësit, me skafandër e me rroba të njëjta, kanë qarkulluar me motorr në këtë rrugë për gati 20 minuta, çka i ka bërë kureshtarë qytetarët, të cilët më pas edhe e kanë filmuar.
Ndërsa hetimet gjatë ditës kanë qenë intensive, jo vetëm në Tiranë por edhe në rrethe, në rrugë jozyrtare bëhet e ditur se partnerët ndërkombëtarë i kanë ofruar asistencë Prokurorisë, për të atashuar ekspertë dhe pajisje për gjurmimin e vrasësve dhe zbardhjen e këtij krimi të rëndë.
Grupi i hetimit bën me dije për Top Channel se numri i të pyeturve, veçanërisht dëshmitarë okularë në zonën e Rrugës së Elbasanit dhe të ish-Bllokut, ka shkuar në mbi 40 persona, por ende nuk ka pista konkrete, ose persona konkretë të dyshuar, për shkak të mekanizmit që është përdorur për të kryer vrasjen.
Një ekzekutim, që i bën hetuesit të jenë paraprakisht të bindur se, që nga porositja, sigurimi i mjeteve për ta realizuar, lloji i pistoletës; një armë që nuk lë gëzhoja në vendngjarje; zgjedhja e vendit ku do të qëllohej i ndjeri, e deri te studimi i rrugëve për të ikur lehtësisht nga skena e krimit, flasin për vrasje të organizuar dhe të studiuar, dhe jo për një vrasje të kryer brenda një afati të shkurtër kohe.
Por, cilat janë pistat e deritanishme të Prokurorisë? “Ne – thanë prokurorët – jemi fokusuar në veprimtarinë e bankës, transaksione e veprime të tjera, për të hedhur dritë mbi dyshimet paraprake”, ndërkohë që është firmosur urdhri për sekuestrimin e të gjitha kamerave të sigurisë, jo vetëm të institucioneve, por edhe bizneseve përgjate itinerarit të ndjekur nga ky motorr, deri ku qytetarët kanë treguar në telefon se e kanë parë të qarkullojë për herë të fundit, një lagje periferike e kryeqytetit.
Videot e sekuestruara në Bllok shfaqin dy persona; njëri në drejtim të motorrit dhe tjetri, që është pasagjer, që qëllon fillimisht në distancë e pastaj kryen qitje gjakftohtë, pasi ka zbritur nga motorri. Më pas, video shfaq ekzekutorin që fsheh armën në brez fare i qetë, duke u larguar të dy në qetësi.
Prokurorët shprehen se personi i dytë, i cili shfaqet në kamerat e sigurisë me një çantë në shpinë, ka shumë mundësi ose të ketë pasur në to rroba, në mënyrë që të ndërroheshin pa rënë në sy në një vend të caktuar, çka do të sillte mosidentifikimin e tyre sipas identikitit të shpërndarë nga policia dhe humbjen e gjurmëve, ose në të ndodhen objekte të forta, që nuk do të linin depërtimin e plumbave dhe që do t’i mbronin ata në rast se qëlloheshin me armë nga pas krahëve.
Nga ana e saj, polciia thotë se shoqëroi e pyeti dy vëllezër nga Lezha, për shkak se emri i tyre doli në dritë nga dy pronarë të një servisi me mbiemër Gjoza, te të cilët dyshohet se është modifikuar motorri, e që ka të dhëna paraprake se janë pikërisht ata që e kanë modifikuar, por këto të dhëna janë jo-zyrtare, pasi faktin e prezencës së këtij motorri në këtë servis e ka dhënë në telefon një qytetar, ndërkohë që policia thotë se pret të dhëna të tjera nga çdo qytetar, që ka parë një motorr të tillë në qarkullim kohët e fundit.
Gjatë ditës, prokurorët dhe drejtues të policisë kanë shkëmbyer informacione, si dhe kanë kryer takime në zyrat e njëri-tjetrit për veprime të mëtejshme hetimore. Fillimisht, në orët e mëngjesit, Kryeprokurori i Tiranës, Petrit Fusha, ishte në Drejtorinë e Tiranës, së bashku me Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Artan Didi, ndërkohë që në mesditë u zhvillua një tjetër takim pune mes zv/drejtorit të Policisë së Tiranës dhe grupit të prokurorëve në Prokurorinë e Tiranës.
E ndërsa Prokuroria konfirmon se bankieri Artan Santo nuk kishte depozituar asnjë denoncim për ndonjë kërcënim të mundshëm, edhe kreu i Shërbimit Informativ Visho Ajazi-Lika tha se shërbimi sekret nuk ka pasur informacion, që paralajmëronte një ngjarje të tillë.
Top Channel