Në pranga kryeinspektori i bashkisë

20/06/2014 00:00

Florenc Hoxha kreu i Inspektoratit Ndertimor Urbanistik Vendor pranë Bashkisë së Tiranës është arrestuar mbrëmjen e së enjtes nga strukturat e Policise së Tiranës nën akuzën e “shpërdorimit të detyres” dhe “kryerja e veprimeve arbitrare”.

Ndërkohë një tjetër urdhër-arresti është lëshuar për kreun e Inspektoriatit Urbanistik Kombëtar, Zyhdi Dajti që pritet të ekzekutohet nga momenti në moment.

Burime nga Policia e Tiranës bëjnë të ditur se ndaj Florenc Hoxhës, vetëm gjatë 3 muajve të fundit janë depozituar në Polici 6 kallëzime penale për shpërdorim detyre. Mësohet se në këto kallëzime Florenc Hoxha akuzohet se nuk ka ndërhyrë për prishjen e ndërtimeve pa leje, ose i ka prishur ato në mënyrë selektive.

Arrestimi i Florenc Hoxhës u bë pas vendimit të Gjykatës së Tiranës, e cila ka caktuar ndaj tij masën e sigurisë “arrest me burg”.

Vetëdorëzohet kreu i INUK
Zyhdi Dajti flet për mediat para se të arrestohej nga policia e Vlorës

Zyhdi Dajti, shefi i Inspektoriatit të Ndërtimit, u dorëzua në policinë e Vlorës. Dajti u shpreh përpara mediave, pak para se të arrestohej nga policia, se ishte në dijeni të këtij lajmi vetëm nga mediat, natën e së enjtes.

Ai tha se kishte qenë në punë mëngjesin e së premtes për prishjen e godinave pa leje dhe, në momentin që ka kryer detyrën e fundit për sot, është nisur drejt Drejtorisë së Policisë së Qarkut të Vlorës, si stacioni policor më i afërt me të.

Dajti nuk e pranoi akuzën dhe tha se është i rregullt me punën, si ushtarak në profesionin e tij, dhe shprehu habi për ngritjen e akuzës ndaj tij.

“Jam i pastër me punën time”, përfundoi deklaratën për mediat Zyhdi Dajti. Akuza e ngritur për të një ditë më parë, është ajo e shpërdorimit të detyrës. Më herët, gjatë ditës së premte, Partia Demokratike denoncoi mos zbatimin e ligjit nga policia, për arrestimin e zotit Dajti.

Sipas PD-së, policia ndoqi dy standarde, duke mbrojtur kreun e INUK-ut me urdhër të kryeministit Rama.

Mësohet se akuzat në adresë të Dajtit janë ato për shpërdorim detyre, veprim në kundërshtim me vendimet e Gjykatës dhe tejkalim kompetencash. Hetimet kanë nisur një muaj më parë nga njësia Task Forcë e Prokurorisë së Tiranës.

Top Channel