U nisën me skaf nga Korfuzi drejt Dubrovnikut, dy kroatë pësojnë dëmtime nga kushtet atmosferike dhe transportohen drejt spitalit të Vlorës Në ditën e gjashtë të aksionit në Lazarat, pas vendosjes së kontrollit në të gjithë territorin, policia ka vijuar me kontrollin e banesave.
Kontrolle të rrepta po zhvillohen veçanërisht në ato objekte që janë identifikuar prej forcave të rendit se është qëlluar me armë zjarri ndaj policisë në ditët e kaluara. Kështu, uniformat blu kanë hyrë në një bazë prej nga është qëlluar me armë tip snajper.
Policia ka gjetur në këtë magazinë dhe në çdo banesë tjetër të kontrolluar armë të rënda si granatahedhëse, tetë mbushëse granata-hedhëse, plumba për pushkë të tipit snajper dhe dylbi me të cilat banditët kontrollonin nga lartë operacionin e policisë.
Ndërkohë, paralelisht me kontrollet në banesa, policia ka vijuar asgjesimin e drogës. Në disa prej tyre janë gjetur tonelata drogë, disa të presuara e të paketuara, gati për t’u trafikuar.
Nuk dihet sesa mund të zgjasin kontrollet, por parashikohet për rreth një muaj. Parashikohet gjithashtu që në të ardhmen të ngrihet një rajon policie për të patur nën vëzhgim çdo veprimtari të paligjshme në Lazarat.
Sipas një raportimi të Policisë së Shtetit, gjatë ditës së premte janë kontrolluar 32 banesa; janë asgjesuar 9.385 bimë narkotike dhe 2 tonë hashah; janë sekuestruar 11 automatikë, 1 mitraloz, 1 anti-tank dhe 4 pistoleta; janë bllokuar 5 automjete me armatim që përmbanin 4 kuti me predha dhe granatahedhës.
Arrestohen edhe 3 persona
Tre persona janë arrestuar gjatë ditës së premte në Lazarat, duke e çuar në 18 numrin e personave të arrestuar gjatë 6 ditëvë të fundit.
Në pranga kanë rënë Kreshnik Gërveshi, 62 vjeç, Afrim Aliko 44 vjeç dhe Myrteza Llakatura 47 vjeç, të tre banues në Lazarat, pasi gjatë kontrollit në banesat e tyre janë gjetur sasi të mëdha lëndësh narkotike dhe armë zjarri.
Policia e Shtetit bën të ditur se gjatë ditëve të zhvillimit të këtij operacioni në Lazarat janë asgjesuar mbi 107 mijë rrënjë bimë narkotike dhe fidanë, si dhe një sasie mbi 30,8 ton kanabis sativa. Po ashtu gjatë këtyre kontrolleve janë gjetur dhe 4 laboratorë nga të cilët 2 përpunimi të bimëve narkotike dhe 2 për përpunimin e vajit të hashashit , si dhe sasi të konsiderueshme municioni armësh dhe ekspolzivi.
Deri më tani, mësohet se është ushtruar kontroll në territoret e mbi 235 banesave dhe në një numri të konsiderueshëm ambientesh të tjera në brendësi të fshatit Lazarat.
Policia: Prokuroria na la në baltë
Tahiri: Lazarati, tashmë është si gjithë pjesa tjetër e Shqipërisë
Drejtori i Përgjithshëm i policisë, Artan Didi, ka sulmuar Prokurorinë, e cila sipas tij e la në baltë policinë në aksionin e Lazaratit. Sipas Didit, prokurorët po vonojnë në veprimet e tyre proceduriale, duke zvarritur ecurinë e aksionit.
“Jemi në një moment kritik që lidhet me mbështetjen e policisë nga institucionet e tjera të drejtësisë sic është Prokuroria e cila vazhdon me të njëjtin ritëm pune, me prokurorë të gatshëm dhe një prokuror që na ka ardhur para dy ditësh dhe tani nuk e dijmë ku është, nga Krimet e Rënda. Kur gjithë policia është në këmbë, imagjinoni në këtë zonë të mbushur me aktivitet kriminal, me prova materiale që lidhen me krimin, me armë, granatahedhësa, mortaja, predha, mitrolozë, bimë narkotike, bimë narkotike që janë aty me kohë të paketuara, me bimë nëpër bahçe dhe kur vjen puna policia ka mbetur vetëm. Ecuria e operacionit lidhet shumë me veprimet proceduriale që i mbulon Prokuroria. Bëj thirrje që institucionet e drejtësissë duhet të jenë këtu për të provuar dhe vërtetuar se cfarë ka ndodhur në Lazarat, se cfarë vlerash monetare janë prodhuar në këtë vend. Se ku kanë shkuar ato, më pas duhet ta hetojë Prokuroria. Për Lazaratin ka patur procedime që kanë nisur disa muaj më parë, por në rastet në fjalë nuk ka nevojë për të patur një rakordim, nuk kam komunikuar me Prokurorin e Përgjithshëm, kemi tentuar të bëjmë një koordinim, por me një prokuror nuk kemi cfarë të koordinojmë kur ne kemi 35 grupe hetimore në terren”, tha Didi.
Të njëjtat akuza ndaj Prokurorisë i përsëriti edhe ministri i Brendshëm Saimir Tahiri, i cili vizitoi Lazaratin 24 orë pasi Policia e Shtetit e mori nën kontroll gjithë territorin e fshatit.
“Kanë qenë shumë të ngadalta veprimet proceduriale që kanë pasuar aksionin e policisë. Drejtësi nuk mund të bëhet, në rast se ky aksion i policisë nuk shoqërohet me hapat e nevojshëm për të dokumentuar dhe për të çuar para drejtësisë të të gjithë atyre që kanë përgjegjësi. Nuk dua ta vesh me nota të veçanta, ngadalësinë e Prokurorisë, por që nuk i përshtatet kurrkund ritmit që ka policia e shtetit dhe domosdoshmërisë së qytetarëve për të vendosur drejtësi. Kjo është pak, por e sigurt”, tha Tahiri.
Pasi u takua me efektivët e policisë dhe banorët e zonës, Tahiri tha se, tashmë, edhe ky fshat është si gjithë zonat e tjera të Shqipërisë.
“Kjo kërkonte pak mundim nga Policia e Shtetit, por tani është momenti për të parë përpara. Unë erdha të përgëzoj të gjithë punonjësit e policisë së shtetit dhe t’i falënderoj për punën e mrekullueshme që kanë bërë. Është një moment që do të doja ta ndaja padyshim me banorët e Lazaratit, siç e patë dhe vet dhe siç keni pasur mundësinë ta dëshmoni gjatë kësaj kohe, e kanë mirëpritur aksionin e policisë, sepse realisht ky fshat ka qenë peng i disa banditëve, që në mos janë arrestuar, shumë shpejt do të arrestohen”, deklaroi ministri Tahiri.
Ndërkaq, në një intervistë për Top Channel, zv/drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Altin Qato, një prej drejtuesve të operacionit në Lazarat, ka bërë të ditur se shumë shpejt në këtë zonë do të ringrihet Posta Policore.
“Banorët e mirëpresin praninë e policisë, por duhet të jenë të pranishëm edhe pjesëtarë të Prokurorisë”, theksoi zoti Qato. “Jemi në fazën e kontrollit të ambienteve dhe banesave pasi dyshojmë që provat materiale lidhen me veprimtari kriminale. Do vazhdojmë derisa të pastrojmë të gjithë zonën. Janë kontrolluar 150 banesa dhe operacioni është në zhvillim e sipër. Në kërkim janë rreth 30 persona, por mund të jenë edhe më shumë me kalimin e orëve”, shtoi nëndrejtori i Policisë së Shtetit.
Sipas Qatos, deri më tani janë shpallur në kërkim 30 persona, por ky numër ndryshon, pasi operacioni është ende në vijim.
Prokuroria: Jemi pjesë e hetimit
“Kemi kryer të gjitha veprimet, siç i parashikon ligji”
Drejtuesi i Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Eugen Beci, është shfaqur në qendër të fshatit Lazarat për të hedhur poshtë pretendimet, sipas tij, të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, Artan Didi, dhe ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, se Prokuroria nuk është prezente në fshat dhe se nuk po ndihmon uniformat blu.
Sipas Becit, Prokuroria e Krimeve të Rënda i ka kryer të gjitha detyrat konform ligjit. Mendohet që kjo prokurori gjatë aksionit vuri më tepër se 150 persona në përgjim gjatë këtij aksioni, për të ndihmuar Policinë e Shtetit në aksionin për marrjen e Lazaratit. Siç shihet në këto foto, në Lazarat ndodhen edhe prokurorët Anton Martini, Behar Dibra dhe Adnand Xholi.
Ndërkaq, mësohet se gjatë orëve të mbrëmjes, drejtuesit e Prokurorisë dhe ata të policisë kanë zhvilluar një mbledhje urgjente, e cila ka përfunduar rreth orës 21:30. Aty u vendos që, tre grupe pune të policisë në terren do raportojnë dhe drejtohen nga një prokuror.
Janë gjithsej 15 grupe pune, që do të drejtohen nga 5 prokurorë, tre prej të cilëve nga Prokuroria Gjirokastër dhe dy të tjerë nga Krimet e Rënda. Po ashtu, në këtë mbledhje janë caktuar dhe 3 prokurorë të tjerë, 2 nga Gjirokastra dhe një nga Krimet e Rënda, për masat e sigurisë ndaj të arrestuarve.
Në mbledhjen e mbrëmjes mes Prokurorisë dhe Policisë u vendos edhe për standardizimin e procesverbaleve dhe akteve proceduriale të evidentimit të provave, të sekuestrimeve dhe asgjesimeve.
Rinis jeta në Lazarat
Mëngjesi i së premtes është gdhirë i qetë në Lazarat. Krismat e armëve nuk dëgjohen më e tymi i hashashit të djegur i ka lënë vend rrezeve të diellit.
Të rinjtë e fshatit nuk druhen të pozojnë me efektivët e forcave RENEA dhe kafenetë e fshatit janë të mbushura plot.
Gra me fëmijë lëvizin të qeta nëpër rrugë, edhe pse forcat e policisë vijojnë patrullimin. Një pjesë e thasëve të hashashit të mbledhur, janë të grumbullura në qendër të fshatit.
Në periferi vijojnë të sekuestrohen armë dhe kanabis i mbjellur, por e premtja ka sjellë një tjetër erë në Lazarat, fshatin e shumëpërfolur për rritjen e kanabisit.
Arrest me burg për Gate Mahmutajn
U vetëdorëzua dy ditë më parë
Gjykata e Krimeve të Rënda dha masën e sigurisë “arrest me burg” për Gate Mahmutajn, i vetëdorëzuar dy ditë më parë në postbllokun e policisë të ngritur në afërsi të Lazaratit.
Gate Mahmutaj tha para Gjykatës se ishte i pafajshëm dhe se nuk i kishte qëlluar Policisë së Shtetit. Por, edhe në bazë të provave të mbledhura nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, Gjykata vendosi ta lërë në burg Mahmutajn.
E njëjta masë sigurie u dha edhe për Emiljano Alikon dhe Matias Boçin. Pavarësisht pretendimeve të avokatëve të të pandehurve se klientët e tyre nuk kishin qenë në Lazarat ditën e sulmit, por në Tiranë dhe më pas u dorëzuan në policinë e Rrogozhinës, gjyqtari Gurali Brahimllari vendosi t’i lërë tre të arrestuarit e parë të aksionit të policisë për Lazaratin në burg.
Aksioni vlerësohet edhe nga Interpol
Interpol-i ka vlerësuar operacionin e policisë shqiptare në Lazarat. Në një deklaratë për shtyp, kjo organizatë e ka cilëuar këtë aksion, si një nga operacionet më të mëdha të policisë shqiptare.
Interpol bën të ditur se është në kontakte të vazhdueshme me policinë shqiptare, e cila do të dërgojë të dhënat e personave që janë të shpallur në kërkim, për t’i hedhur më pas në bazën e të dhënave të tyre, si dhe për të verifikuar lidhjet e këtyre personave me grupe të tjera kriminale.
Një prej drejtuesve të Interpol, Glej Ljuis, deklaroi se, me këtë operacion, shteti shqiptar nuk e toleron krimin në territorin e tij. Në përmbyllje të deklaratës, ai tha se aksioni i gjerë i Lazaratit është meritë e policisë dhe forcave speciale.
Aksioni në Lazarat, edhe NBC i bën jehonë ngjarjeve
Nën titullin “Një re me tym marijuane mbulon fshatin e Lazaratit”, media prestigjioze amerikane NBC bën një përmbledhje të ngjarjeve të ndodhura ditët e fundit, në këtë zonë në jug të Shqipërisë.
Me anë të imazheve filmike, përshkruhet aksioni i policisë shqiptare. Siç e shikoni edhe nga pamjet, Lazarati është i mbuluar nga shtëllunga tymi, nga djegia e disa ton hashashi, që u gjet dhe u sekuestrua në shtëpitë e banorëve të zonës.
NBC përshkruan operacionin e policisë, si dhe e mbyll materialin me imazhet e drogës së konfiskuar. Sipas NBC, asgjesimi i lëndës narkotike shënon edhe finalizimin e operacionit të policisë shqiptare.
Top Channel