“Mekës së marijuanës i del tymi”

18/06/2014 00:00

Jehona e rrethimit të Lazaratit vazhdon në mediat e huaja, por  “Daily Mail” është ajo që i kushton artikullin më të gjatë me një titull bombastik e plot nënkuptime.

Dita kur “Mekës së marijuanës në Europë i doli tymi” shkruan e përditshmja britanike, e më poshtë vazhdon: si dogjën trafikantët shqiptarë të drogës 3 miliardë paund kanabis në fshatin e vogël për të zhdukur provat e ekzistencës së tij.

“Deri përpara 10 vjetësh, Lazarati ishte një komunitet i rregullt fermerësh, ndërsa tani është prodhuesi më i madh i paligjshëm i marijuanës në kontinent, me miliarda euro fitime çdo vit nga bimët e kultivuara hapur nëpër fusha apo kopshte shtëpish”, shkruan gazeta.

Shteti i vogël malor në bregun e Adriatikut përballë Italisë, thotë ajo pas një përshkrimi të operacionit në detaje që për ne janë të njohura.

Duke përmendur kaosin e 1997-s që çoi në bastisjen e depove ushtarake e mbushjen e vendit me armë, “Daily Mail” thotë se qasja e Lazaratit në depot e nëndheshme daton në atë periudhë.

“Druhemi se po të hyjmë me forcë në fshat e t’i kundërpërgjigjemi zjarrit mund të shkaktojmë viktima”, citon e përditshmja britanike një efektiv të forcave speciale që foli në kushte anonimati për shkak se zyrtarisht nuk ishte i autorizuar të bënte deklarata për median. “Përpos kësaj, ata kanë të gjitha armët e pajisjet që kemi edhe ne”, shton personi në fjalë.

Në mediat franceze gjen edhe një tjetër përcaktim për Lazaratin: “Mbretëria e Kanabisit”, ndërsa gazeta online “Ledger Enquirer” e quan “kryeqyteti europian i hashashit”.

Një pjesë e mirë citojnë “Associated Press” në pohimet e katër të plagosurve, apo në pohimet se më parë autoritetet i kishin lënë pak a shumë në punën e tyre bandat e drogës në fshatin ku çdo vizitë e policisë pritej me të shtëna armësh.

“Ledger Enquirer” thekson ndër të tjera faktin që aplikimi i Shqipërisë për statusin e vendit kandidat në bllokun europian 28-anëtarësh është refuzuar dy herë dhe krimi i organizuar e korrupsioni janë cituar gjithmonë si dy nga pengesat kryesore në rrugën e anëtarësimit.

Në ditët e fundit për aksionin e policisë shqiptare në fshatin jugor të vendit është folur edhe në media të tjera prestigjoze si “Washington Post“, “The Guardian“, si dhe në media të ndryshme italiane.

Top Channel