
Dhjetëra ton marijuanë e thatë është duke u djegur në pjesën vëriore të fshatit Lazarat pjesë e cila ende nuk po kontrollohet nga policia.
Banorët të vënë nën presionin e avancimit të policisë janë duke asgjësuar gjithë rezervat e bimës së thatë dhe duke shkatërruar bimët që do të rimbilleshin me lartësi 20-30 cm.
E gjithë kjo pjesë e fshatit është mbuluar nga tymi i bardhë i marijuanës, ndërsa me sy të lirë mund të numërohen rreth 50 vatra zjarri. Djegja ka filluar 2 ditë më parë dhe banorët thonë se do të vazhdojë edhe gjatë natës pasi ende mendohet se fshihen sasi të mëdha të magazinuara si dhe gjithë logjistika ndihmuese e kultivimit.
Në këtë pjesë të fshatit që përfaqëson gati 3/5 e gjithë territorit jetojnë gati 4000 banorë në rreth 300 banesa. Në këtë zonë të fshatit duken qartë mbetjet e kultivimit edhe pas zjarrvënies, fuçi uji, mbetje qesesh plastike për farën, sasi të mëdha plehu, kontenierë të mëdhenj uji, mjete pune, automjete të mëdha transporti dhe punëtorë nga rajone të ndryshme të vendit që kanë shërbyer për vite me radhë në këtë fshat.
Eleminimi i marijuanës është bërë pa ngurrim nga të gjithë banorët, ndërsa edhe të shtënat janë minimizuar, duke lënë që të kuptohet se ndërhyrja do të jëtë e shpejtë dhe e pashmangshme.
Dorëzohet Gate Mahmutaj
Në orët e mbrëmjes së të martës është dorëzuar në postobllokun më të afërt të policisë shtetasi Gate Mahmutaj. Ai ishte një ndër më të kërkuarit nga policia në këtë aksion dhe personi të cili iu gjet një sasi kolosale droge në pronat e tij.
Sipas njoftimit të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë, ai është bindur të dorëzohet pas negociatave disaorëshe me policinë.
Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri ka reaguar përmes rrjetit social Facebook, duke njoftuar arrestimin e tij. Në postimin e tij, Tahiri është shprehur: “Po i vjen radha të gjithëve. Jam krenar për Policinë e Shtetit”.
Ndërkohë, gjatë pasdites u arrestua edhe shtetasi Tonin Mehmet Shehaj, 31 vjeç nga Mallakastra, që ishte dënuar me 7 vite burgim për prodhim dhe shitje lëndësh narkotike.
Ai tentoi të dilte nga fshati Lazarat duke përdorur një identitet të rremë, por gjatë verifikimit në postobllokun e ngritur në hyrje të fshatit u prangos.
Gate Mahmutaj u soll mesditën e së mërkurës, nën masa të rrepta sigurie në Drejtorinë e Policisë së qarkut Tiranë. Bashkë me të, nga të arrestuarit në Gjirokastër udhëtuan drejt Tiranës edhe Emiljano Aliko dhe Matias Boçi.
Të tre të arrestuarit akuzohen për sulmin me armë ndaj policisë, si edhe për mbjelljen të lëndëve narkotike. Sulmi ndaj policisë konsiderohet një vepër e rëndë penale për të cilën do të hetojë Prokuroria e Krimeve të Rënda.
Gate Mahmutaj u dorëzua në policinë e Gjirokastrës mbrëmjen e së martës, ndërsa dy të tjerët u arrestuan nga forcat RENEA që po kryejnë aksionin në Lazarat.
Mahmutaj, Boçi e Aliko pritet që të dalin përpara Gjykatës së Krimeve të Rënda për vlerësimin e masës së sigurisë ditët në vazhdim.
Top Channel