Hetimi për serverin e Tatimeve

18/06/2014 00:00

Opozita shfaqi sërish të mërkurën shqetësimin e saj për moszbatimin nga ana e mazhorancës në Kuvend të vendimit të Gjykatës Kushtetuese për ngritjen e komisionit hetimor në lidhje me atë që e quan ‘skandal me serverin e tatimeve’ dhe vjedhjen e të dhënave tatimore të bizneseve.

Partia Demokratike thotë se është përgjegjësi direkte e kryetarit të Kuvendit mospërfshirja e vendimit në rendin e ditës së Parlamentit prej gati dy javësh.

“Refuzimi me arrogancë i zbatimit të vendimit të Gjykatës Kushetutese është në vetëvete një tjetër skandal. Qeveria, Kuvendi e gjithë mazhoranca janë kapur në një krim kushtetues dhe vazhdojnë me arrogancë në rrugën e antiligjit dhe antikushtetushmërisë.

Por Partia Demokratike nuk do të tërhiqet. Ne do të bëjmë gjithçka që Kushtetuta të zbatohet, që e vërteta e vjedhjes së të dhënave tatimore të dalë në dritë të diellit.

Ndaj dhe i kërkojmë edhe njëherë kryetarit të Kuvendit që menjeherë të përfshijë në rendin e ditës nesër, ekzekutimin e vendimit të Gjykatës Kushtetutese.

Çdo vonesë e mëtejshme, çdo shkelje e mëtejshme e Kushtetutës vetëm sa implikon edhe më tepër këtë mazhorancë”, deklaroi deputeti Eduard Halimi.

Top Channel