
Të dhënat e fundit të publikuara nga Instituti Europian i Statistikave tregojnë se kriza ka frenuar rritjen e mirëqënies në Shqipëri dhe konvergjimin e të ardhurave drejt atyre të Bashkimit Europian.
Sipas EUROSTAT, në vitin 2013 të ardhurat për frymë në Shqipëri mbetën sërish sa 30 për qind e mesatares së Bashkimit Europian. Ky është viti i tretë me radhë kur mirëqënia relative e familjeve shqiptare nuk rritet, një tendencë e nisur në vitin 2011.
Dekadën e kaluar, të ardhurat mesatare për frymë në Shqipëri janë rritur vazhdimisht ndaj atyre të Bashkimit Europian, mesatarisht me një pikë përqindje në vit.
Por pas 2011-s, ekonomia hyri në një fazë të dytë ngadalësimi dhe normat e rritjes së prodhimit ranë në nivelet minimale. Në 2012 rritja ekonomike ra në 1.3 për qind, ndërsa vitin e kaluar ajo zbriti në 0.44 për qind.
Kjo sipas EUROSTAT, e ka bllokuar procesin e konvergjencës së të ardhurave duke i lënë qytetarët shqiptarë sërish në vendin e parafundit në Europë për nga mirëqënia.
Përveç Bosnjes, të gjitha vendet e tjera kanë një nivel më të lartë të ardhurash për frymë. Në Maqedoni, ato janë sa 35 për qind e mesatares së BE, në Serbi 36 për qind, ndërsa në Mal të Zi një qytetatar i ka të ardhurat sa 41 për qind e mesatares së fqinjëve të pasur në BE.
Shqipëria shpreson që këto ditë të marrë zyrtarisht statusin e vendit kandidat për të hapur negociatat e antarësimit në familjen europiane. Por siç tregojnë dhe shifrat, të paktën nga mirëqënia Shqipëria mbetet shumë larg ëndrrës europiane.
Saktësisht një shekull, pasi sipas “The Economist”, në vitin 1910 të ardhurat për frymë në Shqipëri ndaj mesatares së vendeve të pasura të Europës ishin po në këto nivele si sot, rreth 25 për qind.
Top Channel