ILDKP, Kushtetuesja rrëzon Presidentin

17/06/2014 00:00

Gjykata Kushtetuese ka refuzuar kërkesën e Presidentit të Republikës dorëzuar në këtë institucion për shkelje të kompetencave nga Kuvendi i Shqipërisë për kreun e ILDKP-së.

Më 20 shkurt, Kuvendi i Shqipërisë zgjodhi në krye të Inspektoriatit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive Shkëlqim Ganajn. Zgjedhja u cilësua si shkelje e kompetencave nga ana e Presidentit të Republikës dhe nga opozita.

Presidenca thotë se Kuvendi nuk respektoi procedurën, pasi sipas saj, duhej më parë që të mbërrinte propozimi nga ana e Presidentit të Republikës.

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë, në përfundim të shqyrtimit të çështjes me objekt “zgjidhja e mosmarrëveshjes së kompetencës midis Presidentit të Republikës dhe Kuvendit të Republikës së Shqipërisë dhe “Deklarimi si i papajtueshëm me Kushtetutën i Vendimit nr.14/2014, datë 20.02.2014 i Kuvendit të Republikës së Shqipërisë “Për zgjedhjen e Inspektorit të Përgjithshëm të Inspektoriatit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive; pasi shqyrtoi çështjen në seancë plenare mbi bazë dokumentash, duke qenë se gjatë votimit votat u ndanë në mënyrë të barabartë pa krijuar mundësinë e arritjes së një përfundimi për çështjen, në mbështetje të nenit 74 të ligjit nr.8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, me vendimin e datës 17.06.2014, vendosi refuzimin e kërkesës”, thuhet në njoftimin e Gjykatës Kushtetuese.

Top Channel