KLSH: Dëmi në 2013, 150 mln USD

16/06/2014 00:00

Kryetari i KLSH, Bujar Leskaj, deklaroi në Komisionin e Ekonomisë se abuzimet financiare nga institucionet publike, vitin e kaluar, ishin 150 milionë dollarë.

“Dëmi ekonomik i zbuluar nga KLSH gjatë dy viteve të fundit 2012-13 është rreth dy herë më i madh në vlerë, se vlera e dëmit të zbuluar prej tij në 3 vitet 2009-2011 të marra së bashku”, tha Bujar Leskaj.

Por, kryetari i Komisionit Erjon Braçe dhe deputetë të mazhorancës kanë hedhur kritika ndaj KLSH për mosndjekjen e kallzimeve në institucionet e gjyqësorit. Kjo çoi në debate me opozitën.

“Nga të gjitha kallzimet e Kontrollit të Lartë të Shtetit, gjatë këtyre dy viteve të fundit por edhe të mëparshme, të mos jetë gjykuar në Gjykatë një njeri i vetëm, kjo është skandaloze”, tha Erion Braçe.

“Në qoftë se ne kalojmë dhe i kërkojmë KLSH se sa çështje ka ndjekur apo jo Prokuroria, kjo nuk është në misionin e tij dhe nuk është as në dobinë e përmirësimit të veprimtarisë së këtij organi”, replikoi deputeti Ridvan Bode.

“Në rast se ne themi që po, shumë mirë ke bërë që s’e ke ndjekur këtë çështje, sepse e ka në dorë një institucion tjetër, kjo është pjesë e një historie 23-vjeçare në këtë vend, që fajin e lenë gjithmonë jetim, por që në gjuhën popullore ka një shprehje tjetër”, u kundërpërgjigj Erion Braçe.

“Është e pamundur që, ndjekjet penale që i regjistron Prokuroria, jo vetëm që do jemi në kundërshtim të plotë me Kodin Penal dhe Kushtetutën, por dhe me standardet tona, të vazhdojmë të survejohen nga institucioni i KLSH-së”, tha Bujar Leskaj.

Kërkesa e KLSH për të audituar Tatimet ka futur në ngërç ligjin e ri për këtë institucion. Kryetari i Komisionit parlamentar bëri të ditur se qeveria, në përmbushje edhe të kërkesës së vet KLSH-së ka kërkuar ekspertizë nga Bashkimi Europian për çështjen e kontrollit të Tatimeve. Prej disa vitesh, Kontrolli i Shtetit është në një konflikt të nxehtë me Tatimet. Në ligjin e ri, KLSH kërkoi një nen të posaçëm, që t’i jepte kompetencë për të audituar organet e taksave, por kjo nuk u miratua nga deputetët, të cilët tani presin mendimin e ekspertëve të BE për këtë çështje.

Top Channel