Prokuroria e Krimeve të Rënda ka vënë nën sekuestro një avion të vogël të një diplomati austriak, i cili ndodhej në aerodromin e Gjadrit në një kapanon privat.

Dyshohet se avioni i vogël është përdorur për trafik lënde narkotike nga pista e Gjadrit. Diplomati austriak, identiteti i të cilit nuk bëhet me dije për arsye hetimore ka pranuar pronësinë e avionit të vogël dyvendësh, që mendohet se është montuar në Shqipëri nga një inxhinier shqiptar, ndërkohë që pjesët ishin sjellë nga Italia dhe Sllovenia.

Mendohet se avioni është përdorur për trafik në vitin 2012, pasi që prej 2 vitesh nuk kishte kryer asnjë fluturim për shkak të një defekti. Gjatë kësaj periudhe avioni qendronte i parkuar në hangarin e një shtëpie private pranë Gjadrit dhe personit që kishte në dispozicion ambientin i paguhej rregullisht një qira.

Nga hetimet janë vërejtur pasaktësi në zhdoganimin dhe dokumentacionin e avionit, çka e ka shtyrë prokurorinë të ketë dyshimet e veta lidhur me veprimtarinë e këtij mjeti. Autoriteti i Aviacioni Civil dhe Alb-kontrolli nga ana tjetër kanë konfirmuar fluturimet e avionit të diplomatit austriak, duke dhënë sqarime se leja është marrë për të fluturuar vetëm mbi bregdetin shqiptar.

Ekzistenca e këtij avioni në pistën e Gjadrit është konfirmuar edhe nga kryetarja e Komisionit Hetimor të ngritur nga Kuvendi për të hetuar përfshirjen e strukturave të ushtrisë në trafik të lëndëve narkotike, Ermonela Felaj në Top Story.

“Përvec deklaratave të personelit të cilët mohuan të ishte ulur avion atë ditë në pistë, policia e Lezhës ka bërë verifikime dhe përtej asaj cfarë përfshinte pista, dhe në fund të aerodromit kanë gjetur se ndodhej hangari i dikujt dhe brenda tij një avion sportiv, por që kishte zënë pluhur dhe pronari paguan një qira për ruajtjen e tij aty. Ndërkohë policia, SHISH, drejtori e inteligjencës së mbrojtjes kanë marrë kontakte me banorë të zonës dhe kanë arritur në këtë përfundim; dëshmitë janë kontradiktore dhe në shumicën e tyre janë të prejardhura. Pra nuk e kanë parë, por riprodhojnë, ose prodhojnë ngjarje të thëna nga të tjerët. Janë thënie të pakonfirmuara, të pavërtetuara dhe këtë e ka thënë vetë Shërbimi Informativ Shtetëror”, deklaroi Felaj.

Top Channel