Ndryshim ligjit për hetimin parlamentar

13/06/2014 00:00

Pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, që i dha të drejtë opozitës për të kërkuar dhe ngritur një komision hetimor, për fshirjen e të dhënave nga serverat e Tatimeve, është mbledhur Këshilli i Rregullores dhe Legjislacionit.

Megjithëse komisioni do të ngrihet, në zbatim të vendimit të Kushtetueses, opozita deklaroi se procesi po zvarritet dhe vonohet qëllimisht nga mazhoranca. Ndërsa kjo e fundit, në kushtet e kërkesave të vazhdueshme për komisione hetimore nga opozita, deklaroi se do nisë rishikimi i ligjit për komisionet hetimore.

“Ka ardhur momenti që ne ta rimarrim në shqyrtim këtë ligj, të bëjmë ndryshimet e nevojshme, t’i përshtatemi më mirë asaj që ka thënë vet Gjykata Kushtetuese, për ta bërë sa më efektiv, ky është qëllimi. Nuk është qëllimi për ta minimizuar këtë rol, përkundrazi, ky rol do të rritet pa dyshim nga ana e opozitës, por ne të mundohemi që të eliminojmë të gjithë debatet shterpë që janë zhvilluar. Edhe dje pati seancë në raport me objektin, periudhën etj”, tha Armand Subashi, deputet i PS.

“Qëllimi ynë është që në mënyrë definitive, kur kërkohet nga opozita, komisioni hetimor të ngrihet dhe të hetojë objektin që ai kërkon. Nëse kjo do të gjejë edhe vullnetin e mazhorancës, një vullnet të mirë, pozitiv, për ta bërë së bashku këtë ndryshim, është i mirëpritur”, tha Oerd Bylykbashi, deputet i PD.

Rishikimi i ligjit për komisionet hetimore parlamentare vjen vetëm një ditë, pasi Kuvendi shpenzoi orë të tëra për diskutimin e kërkesës së opozitës, për ngritjen e një tjetër komisioni hetimor, për emërimet në Administratën Publike.

Vetëm me votat e mazhorancës u votua ngritja e tij, ndërsa opozita braktisi seancën, pasi objekti i hetimit nuk ishin vetëm emërimet në këto muaj të fundit të qeverisjes së majtë, siç kishte kërkuar opozita, por i shtrirë në 5 vitet e fundit, siç mazhoranca kërkoi.

“Komisionet hetimore janë një instrument shumë i fuqishëm i opozitës, për të kontrolluar qeverinë dhe mazhorancën, dhe jo e kundërta. Jo ajo që u bë dje, kur përsëri mazhoranca cënoi objektin kushtetues, i cili është i paprekshëm sipas Gjykatës Kushtetuese”, theksoi më tej Bylykbashi.

“Sigurisht që është kushtetuese, sigurisht që është edhe në frymën e vendimit të fundit të Gjykatës Kushtetuese, që pa dyshim që Parlamenti duhet të disponojë rreth objektit për ngritjen e komisioneve hetimore, në rast të kundërt ç’kuptim do të kishte, që Parlamenti pastaj të merrte një vendim. Atëherë kërkesa mund të merrej automatikisht, vinte edhe menjëherë quhej komisioni i ngritur. Por, fakti që Kuvendi duhet të shprehet me vendim, sigurisht që shikon të gjitha këto aspekte të ngritjes së komisionit hetimor”, përfundoi Subashi.

Top Channel