Ministria e Mjedisit ka nisur punën për rehabilitimin, pyllëzimin e Parkut Kombëtar të Lurës. Ministri i Mjedisit, Lefter Koka, ka parë nga afër dëmtimin e pyjeve, ndërkohë që ka premtuar rikthimin e bukurisë në këtë park, i cili është pasuri e të gjithë shqiptarëve.

“Është shumë e dhimbshme, teksa po bënim rrugën nga Rrësheni për të mbërritur në park, të shohësh një babëzi të paparë për të shfrytëzuar çdo përrua, mijëra hektarë të dëmtuar e të djegur për të ndërtuar HEC-e, pas të cilave është trumbetuar Shqipëria si një superfuqi energjitike. Ndërkohë, ne kemi humbur atë që është më e rëndësishme, të ardhmen e fëmijëve tanë, të ardhmen e turizmit shqiptar. Do t’i rikthejmë Shqipërisë një nga zonat më të bukura turistike, do t’i rikthejmë krenarinë Lurës, për t’i garantuar një zhvillim ekonomik e turistik”, u shpreh Lefter Koka, ministër i Mjedisit.

Me zbatimin e projektit të Ministrisë së Mjedisit do të mbillen rreth 2 milionë fidanë, ndërkohë që do të ndërhyhet për rehabilitmin e peizazhit të 7 liqeneve të Lurës. Ministri i Mjedisit Koka ka kërkuar bashkëpunimin e banorëve të zonës për ta mirëmbajtur e ruajtur Parkun Kombëtar të Lurës nga prerjet e paligjshme.

“Për të mbërritur te liqenet duhet të rehabilitojmë para së gjithash këtë rrugë prej rreth 20 km dhe brenda pranverës së ardhshme, kur dhe është sezoni i mbjelljeve masive, do të mundësojmë mbjelljen e të paktën 2 milionë fidanëve, por sigurisht do të kërkohet edhe mirëmbajtja. Unë do t’iu lutesha shumë që, duke qenë se Shqipëria ka një terren malor, të jemi të gjithë rojtarë të pyjeve, të eliminojmë sa më shumë djegiet, e sidomos kur ato ndodhin në mënyrë të qëllimshme. Çdokush duhet ta kuptojë që Lura nuk është më vetëm një aset i vendalinjve, por është një markë shqiptare dhe i përket të gjithë shqiptarëve”, shtoi ministri Koka.

Projekti përfshin vendosjen e sinjalistikës informuese për vendet me interes për t’u vizituar, ku 27 tabela do të informojnë këdo që dëshiron të njohë Parkun Kombëtar të Lurës. Pas kësaj, do të fillojë ripyllëzimi. Liqenit të Luleve do t’i kthehet pamja e dikurshme, duke rehabilituar pasqyrën ujore të tij.

Nëpërmjet rehabilitimi të Parkut Kombëtar të Lurës, Ministria e Mjedisit synon të krijojë mundësi për zhvillimin e qëndrueshëm të turizmit në zonën e Lurës, të ofrojë mundësi punësimi për banorët vendas, të minimizojë presionet ilegale mbi resurset natyrore të zonës, si dhe të vendosë ekuilibrin e zhvillimit të turizmit rural.

Top Channel