Droga “pushton” Krimet e Rënda

13/06/2014 00:00

Nga viti 2008 deri më tani në Shqipëri janë hetuar dhe dënuar më pas nga Gjykata e Krimeve të Rënda për trafikim të narkotikëve 528 persona, pjesa dërrmuese e të cilëve janë kapur në kushtet e flagrancës gjatë këtyre viteve duke transportuar ngarkesa të konsiderueshme të bimës narkotike kanabis sativa.

Në një intervistë për Top Channel, kreu i kësaj gjykate, Sandër Simoni deklaron se Kodi Penal për këtë vepër penale duhet riparë.

“Kodi Penal ka disa figura të trafikut të narkotikëve në kuptim të ngurtë, që nuk bëjnë dallimin mes veprës penale, sasisë së drogës dhe personit. Duhet të ketë rregullime që akuzat të jenë të qarta mes kultivimit, mbajtjes dhe trafikimit të atyre që mbahen në vend dhe atyre që vijnë nga vende të tjera”, deklaron Simoni.

Por ndërsa trendi i këtyre çështjeve të trafikut të drogës në hetim nga Prokuroria e Krimeve të Rënda është në rritje, cilat janë ndryshimet që duhet të prekin Kodin Penal?

“Kur është formë tipike e krimit të organizuar, me sasi të mëdha për trafikim, masat e dënimit duhet të jenë të diferencuara ndryshe nga rastet sporadike të kalimit të drogës për rrethana familjare, ekonomike, apo për veprime ekstreme që nuk janë pjesë e krimit të organizuar, por që përfshihen në këtë fenomen”, nënvizon Simoni.

Aktualisht çështjet e trafikut të drogës nën gjykim tek kjo gjykatë mbajnë vendin e parë prej tre vitesh.

“Në vendin e parë të çështjeve janë ato për trafikun e drogës. Ka një rritje me 13 për qind krahasuar me 2013-n, ka pastaj vrasje për motive familjare dhe më pas ato për çështje pasurie”, saktëson Simoni.

Vetëm për këto gjashtë muaj, me kërkesë të prokurorisë, gjykata ka firmosur 800 kërkesa për pergjime, shifër e cila ishte e përafërt për 2013 për gjithë vitin.

“Kanë të bëjnë kryesisht me numrin më të madh të proçedimit të veprës penale. Në gjysmën e parë të vitit 2014, 46 për qind kanë qenë përgjime për trafik droge”, sqaron kreu i Gjykatës së Krimeve të Rënda.

Po cila është veçoria e trafikimit të narkotikëve në Shqipëri?

“Tendenca për trafikim nga Shqipëria në vende të tjera është kanabis sativa. Por gjithashtu, kohët e fundit kemi pasur një numër çështjesh për lëndë narkotike që tentohet të trafikohen, si kokaina dhe heroina, duke përdorur Shqipërinë si tranzit”, shton Simoni.

Top Channel