Ilir Yzeiri – Java që shkoi, në ndonjë qendër universitare, pati si temë diskutimi De Radën. Siç e dimë, ky është përvjetori i 200-të i lindjes së poetit të madh arbëresh. De Rada është shpallur poet i madh thuajse në të gjitha kohërat dhe në fakt i tillë është.
Gjatë diktaturës, historiografia dhe shkenca letrare e sociologjizmit vulgar i patën kushtuar një vëmendje të posaçme dhe ai ishte pikë referimi e identifikimit shqiptar në kohën historike. Nga kjo pikëpamje, De Rada duket i vendosur në një artefakt të ngrirë dhe aty ai qëndron si në një reklamë të ditëve tona dhe për të cilin thuhen të gjitha lavdërimet e vlerësimet pozitive me tone të ngritura që, nga pikëpamja e hapësirës, siç mund të thoshte Fukoja, nuk paraqesin De Radën, por idetë tona për të, ndjenjat tona dhe dëshirat, ëndrrat dhe besimet.
Nisur nga thelbi i mendimit socrealist vulgar se historia duhet përzgjedhur, se ajo duhet ridimensionuar sipas parimit klasor, De Rada, i ndodhur jashtë territorit fizik të Shqipërisë dhe autor i një vepre që ndërtonte një ngjarje të një kohe shumë të largët, ishte komod që, në artefaktin ku rrinte portreti i tij, të vendoseshin lloj-lloj tekstesh, të cilat, ashtu siç ndodh me reklamat, e ndriçojnë produktin nga të gjitha anët.
Në këtë aventurë, vepra e De Radës, gjatë diktaturës, shërbente si një motiv për të ndërtuar një tekst tjetër që e shpërbënte veprën e tij dhe e kthente atë në një lëndë për të ndërtuar tekstin e identifikimit nacional me hapësirën utopike të romantikës komuniste të glorifikimit të vlerave të së shkuarës. Edhe këtë radhë, në shumicën e rasteve, De Rada vijon të vlerësohet dhe të analizohet me frymëzimin e tekstit të shkruar që më parë për të dhe vijon të shihet si model i identifikimit tonë në të shkuarën. Këtu kam parasysh sidomos vështrimet ideologjike për të dhe jo ato me natyrë tekstore.
Dora D’Istria, De Rada dhe Fishta i harruar
Studimet tona letrare, për fat të keq, janë ende në fazën e sociologjizmit vulgar ose të ideologjizmit nacional romantik. Letërsia shihet ende si një model i identifikimit nacional dhe ne kemi mbetur ende në fazën kur studimet për traditën popullore apo për letërsinë shërbenin vetëm për të përcaktuar njëfarë etnocentrizmi kulturor që ta përdornim pastaj si provë ekzistenciale në luftën për të afirmuar jo vetëm identitetin tonë të mohuar, por edhe për të nxitur një lloj krenarie boshe që me kohë nis e kthehet në një shenjë të identiteti provincial.
Mania për t’u projektuar në të shkuarën është një sëmundje fatale për Ballkanin në tërësi. Serbët nxjerrin Kishën dhe fenë, ne shqiptarët gjuhën dhe idhujt e nacionalizmit letrar. Mirëpo, në këtë mënyrë, ne kënaqim egon tonë të parealizuar dhe të paarrirë dhe i dëmtojmë kështu edhe më shumë gjigantët e letërsisë shqiptare për të cilët nga një anë, themi se janë modernë dhe nga ana tjetër, i trajtojmë si modele të shtrembërimit tonë etnologjik. Fishta, krahas De Radës, është një rast i madh dhe i pazëvendësueshëm që të studiohet nga pikëpamja e qarkullimit dhe hapësirës apo semiotikës së kohës dhe vendit. Ai është pasqyra ku ne shohim atë që nuk e dallojmë dot, trupin tonë, siç thoshte përsëri Fuko.
Mirëpo, Fishta, nuk e ka pasur fatin e De Radës, sepse ai, gjatë komunizmit, u fut në një artefakt të zi dhe teksti për të ishte i shkurtër. Socrealizmi vulgar shqiptar i ftonte të gjithë që t’i largoheshin këtij produkti. Në një vend normal, pas rënies së komunizmit, do të pritej që interesi për këtë gjigant të rritej dhe teksti i tij të ndriçohej nga shumë anë. Mirëpo nuk ndodhi kështu. Pse? Sepse, sipas mendimit tim, romantika nacionaliste komuniste dhe shkenca letrare e socializmit nuk kishte shkruar asnjë rresht për të. Ndërkohë që për De Radën, teksti është shkruar që më parë dhe studiuesit e kanë të lehtë ta vijojnë atë, ngaqë, në pjesën më të madhe, tradita letrare te ne ende vijon të lexohet dhe të shkruhet me frymëzimin dhe sipas shkollës sociologjike vulgare. Natyrisht këtu nuk mund të përfshihet Fishta apo dhe Dora D’Istria.
Në vend të mbylljes
Duke analizuar letrat e Dora D’Istrias dërguar De Radës që përfshijnë një periudhë prej afro dhjetë vjetësh kam hetuar disa tipare të etosit të tyre. Ajo që më ka bërë përshtypje që në fillim është se Dora D’Istria dhe De Rada, si dy emigrantë të mëdhenj politikë, në kushtet e krijimit të kombeve në Europë, u përpoqën të krijonin edhe një herë një Albani që ata e kishin ndërtuar më shumë në utopinë e identifikimit të tyre në një komb që kishte vetëm të shkuar dhe një fat tragjik në të tashmen.
Nga pikëpamja e semiotikës së hapësirës, ata kërkonin të ndërtonin një imazh të ngrirë, të palëvizshëm të një kombi që kishte vetëm një përmasë. Siç thotë përsëri Fuko, ata ishin më shumë arkeologë të utopisë së identitetit që nuk shihej, që kishte humbur sesa protagonistë të Shqipërisë që do të vinte. Shqipëria që u krijua më pas ishte krejtësisht e kundërta e imazhit që ata kishin në utopinë apo në irealitetin e hapësirës identitare. Si kulm i kësaj utopie është një dëshirë e Dora D’Istrias që i shkruan De Radës se ndoshta do të takohen një ditë në Shkodër dhe të valëvisin flamurin e Skënderbeut në Kalanë e Rozafës. Fishta ndërkaq është poeti i Shqipërisë reale dhe ai megjithëse jeton në Shkodër, e di se atdheu i tij nuk mund të jetë hapësira identitare e utopisë së De Radës apo Dora D’Istrias. Ai sikur e kishte parandier se nga kjo hapësirë të cilën De Rada dhe Dora D’Istria nuk e imagjinonin dot, do të largohej që andej me dhunë për t’u tretur në utopinë e harresës.
Mirëpo në qoftë se De Rada ka fatin që të rivendoset herë pas here në vitrinën e mendimit socrealist shqiptar, Fishta është ende i pakuptueshëm, sepse ai pat ndërtuar me veprën e tij utopinë e Shqipërisë anadollake, ndërsa De Rada apo Dora D’Istria kishin në mendje utopinë e Shqipërisë skënderbejane. Anadollakët e Shqipërisë e donin utopinë skënderbejane që të identifikoheshin me figurën e njëshit të lindur për të drejtuar, ashtu sikundër edhe pasuesit e regjimit anadollak në fushë të shkencave letrare e kanë më të lehtë që të lexojnë një tekst të shkruar një herë e të ripërsëritur pa mbarim.
Top Channel