Eth’hem Çeku, ish-ministri i Energjisë së Kosovës foli në “Revistën Televizive të Mbrëmjes në Top Channel mbi ngjarjen e rëndë të ndodhur gjatë ditës së premte në TEC-in e Obiliqit.

Çeku tha se TEC-i i Obiliqit është ndërtuar që në vitin 1962 dhe për ta mbajtur atë ende në punë duhet të ishin bërë investim e të thella, por kjo nuk ndodhi.

Ish-ministri i Energjisë së Kosovës kërkojë një bashkëpunim më të gjerë të të dy qeverive, asaj të Kosovës dhe të Shqipërisë në energjetik, pasi të dy vendet kanë pasuri të mëdha për prodhimin e saj.

Pandi Gjata: Si zhvillohej procesi teknologjik në këtë TEC dhe nga se mund të jetë shkaktuar kjo avari?

Eth’hem Çeku: Si fillim i shpreh ngushëllime familjeve për humbjen e të afërmve të tyre dhe të gjithë punonjësve i uroj shërim sa më të shpejtë. Ngjarja ka ndodhur në kompleksin e “Kosovës A”. Një nga termocentralet më të vjetra në Kosovë, ndërtimi i tij ka filluar në vitin 1962. Kohët e fundit një pjesë e madhe kishte dalë nga funksioni dhe nuk kishte ndonjë angazhim të madh në prodhimin e energjisë elektrike. Për këto termocentrale parësore është përdorimi i ujit për ftohje. Në këtë kompleks është ndërtuar elektroliza në vitin 1975 dhe ka shërbyer si një instrument për ftohjen e gjeneratorit që të kemi një prodhim efiçent të energjisë elektrike. Pra se të vija të flisja me ngjarjen jam konsultuar me ish-këshilltarët e mi, ekspertë në këtë fushë. Uji që futet duhet të pastrohet, duhet të ndahet hidrogjeni prej oksigjenit. Hidrogjeni shkon direkt te gjeneratori për ftohjen e tij. Sipas ekspertëve mund të ketë pasur një rrjedhje në elektrolizë dhe hidrogjeni mund të jetë bashkuar me oksigjenin duke krijuar edhe shpërthimin.

Pandi Gjata: Në 2004-2006 është rekomanduar mbyllja e këtij TEC-i. Mund të na thoni se në çfarë gjendjeje ka qenë TEC-i dhe pse ishte rekomanduar kjo mbyllje.

Eth’hem Çeku: Kjo është një çështje shumë e diskutuar në opinionin publik në Kosovë. Në 2004-2007 e kemi trajtuar këtë problem. Kërkuam edhe ekspertizën ndërkombëtare të kryente edhe një studim. Do të kishte ose mbyllje ose investime të thella në këtë TEC. Fatkeqësisht nuk pati investime të thella, por vetëm të pjesshme sa për të mbajtur në prodhim blloqet e “Kosovës A” dhe ky ishte defeti i madh sepse nuk mund të menaxhohet dhe nuk mund të mbahen blloqe te TEC-it të viteve ’60. Ky nuk është incidenti i parë pas çlirimit, pasi kemi pasur incidente ku kanë humbur jetë njerëzish edhe në “Kosova A” edhe në B, por edhe në miniera që punojnë me ekskavator të vjetër.

Pandi Gjata: Pas kësaj ngjarjeje a mund të rivitalizohet ky TEC?

Eth’hem Çeku: Jemi përpara një situate shumë delikate dhe shumë të vështirë. Kosova është njëri nga vendet më të pasura në Europë dhe renditet e 5-ta në botë me linjit. Fatkeqësisht, pas çlirimit nuk arritëm të ndërtojmë asnjë megavat dhe nuk kemi arritur ta çojmë projektin e këtij TEC-i në implementim. “Kosova C” duhet të përfundonte në vitin 2012, por kjo nuk është bërë dhe në mungesë të saj jemi detyruar të mbajmë Kosovën A në prodhim. Nga ky rast duhet të nxjerrim mësim që duhet të bëjmë investime të thella dhe serioze, duhet të marrim për bazë mendimet e profesionistëve. Duhet të nxisim implementimin e projektit të “Kosova e Re” që sa më parë të nisi prodhimi i energjisë elektrike, duhet të shohim edhe burimet e tjera alternative, të erës dhe të tjera. Gjithashtu duhet edhe një bashkëpunim i madh edhe me Shqipërinë. Duhet të ndërtohet sa më shpejt linja e 400 kilovoltëve.

Top Channel